Marrëveshja për vaksinat ‘sekret tregtar’, qeveria vendos të mos publikohet

Nga Exit News
Marrëveshja për vaksinat ‘sekret tregtar’, qeveria vendos të mos publikohet

Qeveria ka miratuar me akt normativ, marrëveshjen me kompaninë Pfizer për vaksinat anti-COVID, por ka vendosur që ajo të mos bëhet publike “për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës”  së kompanisë.

“Marrëveshja  për  prodhimin  dhe  furnizimin, nga  dhe  ndërmjet Pfizer  Export  BV  dhe  Ministrisë së  Shëndetësisë  dhe  Mbrojtjes  Sociale,  ministrit  të Shtetit  për  Rindërtimin  dhe  Institutit  të  Shëndetit Publik, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Export BV nuk do  të  publikohet  në  asnjë website  të  institucioneve apo në Fletoren Zyrtare.”, shkruhet në Fletoren Zyrtare.

Sipas aktit normativ të botuar në fletoren zyrtare, kompania Pfizer ka kërkuar që detajet e marrëveshjes të mbesin sekrete.

Ligji “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” parashikon se sekreti tregtar është:

“Një e dhënë e vlerësuar nga shoqëria si informacion i brendshëm apo dokument, që shoqëria mbron në mënyra të përshtatshme, i cili, nëse do t’u përhapej personave të paautorizuar, do të shkaktonte dëm të konsiderueshëm të interesave tregtarë të shoqërisë.”

Kompania Pfizer u ankua në dhjetor se një politikane belge publikoi çmimin me të cilën qeveria e Belgjikës kishte rënë dakord të blinte pesë milionë doza, sipas Reuters.

Kompania u shpreh se publikimi thyente rregullat e konfidencialitetit të cilat janë mesa duket edhe në marrëveshjen me Shqipërinë.

Bazuar në vendim, nuk do të paguhet as tarifë doganore për vaksinat anti-Covid dhe ato me një kod specik që hyjnë në vend.

Në fillim të vitit Shqipëria siguroi 500 mijë doza të vaksinës anti-Covid prodhuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.

11 janar nisi dhe procesi i vaksinimit në vendin tonë me 975 doza të cilat iu dhuruan Shqipërisë nga një shtet anonim.

Kryeministri Rama ka pretenduar se vendi që i dha Shqipërisë vaksinën e ka bërë si një favor personal ndaj tij, duke kërkuar në këmbim që të ngelej sekret mes tyre.

Gjermania, ndonëse është vendi ku janë prodhur vaksinat, nuk është vendi që i ka dhuruar Shqipërisë vaksinat.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>