Grevistët e Zharrëzës që prej dy ditësh po marshojnë drejt Tiranës në këmbë, i kanë bërë thirrje politikanëve që t’i bashkohen marshimit të tyre e t’i japin zgjidhje problemittë tyre.
Ndërkohë ato raportojnë se policia dhe një drejtoreshë shkolle po ushtrojnë presion mbi familjet e tyre për t’i detyruar ata të ndalin protestën e marshimin.
Marshimi i banorëve të Zharrëzës drejt Tiranës nisi dy ditë më parë, pas rreth 20 ditëve grevë urie. Që prej dhjetorit të vitit 2016, qytetarët janë munduar të ngrenë zërin për problemet që shpimet për naftë të Bankers Petroleum po i shkaktojnë banesave dhe jetës së banorëve të Zharrëzës. Qeveria nuk ka marrë asnjë masë, qoftë për të dëmshpërblyer banorët e dëmtuar apo për të marrë masa ndaluese ndaj kompanisë. Po ashtu, përveç institucioneve, banorët e Zharrëzës i kanë braktisur dhe mediat, shumica prej të cilave nuk e kanë mbuluar aspak shqetësimin e tyre.
Në faqen e Facebookut të Nismës Thurrja, marshuesit kanë lëshuar këtë deklaratë:
Deklaratë e marshuesve
1. Policia në Fier po ushtron presion ndaj familjeve të marshuesve duke u kërkuar që të ndërpresin marshimin.
2. Mirjeta Nasto, drejtoresha e shkollës Sotir Çapo në Zharrëz kërcenon më të riun e marshuesve me përjashtim nga shkolla.
3. Ministria e Energjitikës gënjen për vlerësimet. Nuk është bërë asnjë vlerësim. Shtëpitë (jo të gjitha) janë fotografuar nga jashtë dhe kaq. Ministria nuk ja ka idenë se çfarë dëmesh ka çdo shtëpi specifikisht. E sfidojmët’i bëjë publike “vlerësimet” e saj.
4. Kryeministri, Zv. Kryeministri, Ministri etj janë të ftuar të vijnë në Kavajë, apo të na bashkohen rrugës për Tiranë dhe të na tregojnë zgjidhjen që kanë gjetur. Nëse nuk e bëjnë, dmth që nuk ka zgjidhje.
5. Marshimi ynë nuk është pronë e asnjë partie. Marshojmë vetëm dhe vetëm për shtëpitë tona.Marshimi do vazhdojë deri sa të kemi zgjidhje. Nëse nuk ka do të ngulemi në Tiranë dhe nuk shkulemi të gjallë deri sa të fitojmë të drejtën tonë. Shtëpitë nuk na i ka falur asnjë parti, i kemi ndërtuar me gjak e djersë.
Nuk përkulemi më!
Parashikohet që marshuesit të arrijnë në Tiranë nesër rreth prës 12:00.