Masakër turistësh?

Masakër turistësh?

Ministri i Shëndetësisë ka vizituar dy fundjavat e fundit qendrat shëndetësore rajonale në jug te vendit. Me tonin e zakonshëm propagandistik qeveritar, ai njoftoi pas një vizite në qendrën e Himarës se në fund të qershorit u hapën 25 qendra shëndetësore në ndihmë të pushuesve, në vendet me numër më të lartë vizitorësh, si në Himarë, Ksamil, Kala e Dodës, Kelmend, Prespë, etj.

Sipas tij, në pak më shumë se një muaj nga hapja e këtyre qendrave sezonale ishin trajtuar rreth 24 mijë persona pushues, kryesisht me sëmundje të stomakut dhe infeksione të ndryshme.

Nuk ka ndonjë të dhënë për numrin e pushuesve në këto zona gjatë muajit korrik, por duke gjykuar nga vitet e shkuara mund të mendohet se kanë qenë rreth 200 mijë pushues.

Nëse shifra e ministrit për të sëmurët është e vërtetë, atëhere mund të themi, me një farë sigurie, se gati 12 për qind e pushuesve janë helmuar ose infektuar, një pjesë e tyre turistë të huaj.

Ministri i Shëndetësisë pohoi shërbimin e jashtëzakonshëm që jepet në qendrat shëndetësore sezonale, por nga ana tjetër numri i të trajtuarve që ai pohon është aq i lartë sa me të drejtë mund të mendohet se pak gjasa ka të jetë i vërtetë: ose një pjesë e të trajtuarve kanë qenë banues të zonave, që nuk kanë patur mundësi të vizitohen më parë për shkak të mungesës së qendrave shëndetësore; ose ministri gënjen për të bërë propagandë pa e menduar gjatë domethënien e shfirave që pohon.

Nëse janë vërtetë turistë, ata janë shumë. Në këto kushte, qeveria nuk duhet të reklamojë arnimet dhe të flasë në tym për zhvillimin e turizmit si prioritet, po duhet të merret seriozisht me shkaqet.

Ndërkohë një turist rus humbi jetën i masakruar nga një varkë me motor, ndërsa dhjetra turistë të tjerë, shumica kosovarë, kanë humbur jetën në aksidente rrugore. Më i bujshmi ishte aksidenti i para një jave i katër të rinjve, dy prej të cilëve italianë, të cilët si pasojë e mungesës së infrastrukturës rrugore dolën nga rruga dhe ranë në një kanal të thellë.

Për të bërë një krahasim me destinacionet e tjera të njohura për turizmin botëror: në Tailandë—e cila konsiderohet destinacioni turistik më i rrezikshëm nga amerikanët dhe britanikët—vdekshmëria mes turistëve është mesatarisht 0,4 për 100 mijë turistë; në ishujt Hawai 0,6 per çdo 100 mijë turistë—pjesa më e madhe e tyre janë mbytur gjate surfit, një sport i rrezikshëm uji. Më afër nesh, një studim që mbulonte një periudhë 10 vjeçare në Kroaci zbulon se vdekjet e dhunshme mes turistëve të huaj, përfshi edhe të mbyturit, vetëvrasjet dhe vdekjen nga aksidentet, kanë qenë në nivelin rreth 0,75 për çdo 100 mijë turiste.

Ndërsa në Shqipëri vetëm gjatë dy muajve të fundit kanë humbur jetën 10 turistë të huaj. Duke e llogaritur këtë shifër në 500 mijë vizitorë të huaj gjatë të njëjtës periudhë kohore, norma jonë e vdekshmërisë së dhunshme për turistët është më e lartë se dy, pra rreth tre herë më shumë se Kroacia, dhe pesë herë më e lartë se Tailanda.

Këto shifra bëjnë të mendosh se Shqipëria është e rrezikshme për turistët—madje pa llogaritur të plagosurit, të shfrytëzuarit, të pakënaqurit apo thjesht të tremburit.

Nëse turizmi është me të vërtetë prioritet për qeverinë, atëherë është e nevojshme të braktisen shfaqjet propagandistike dhe të fillohet të punohet për funksionimin e shërbimeve dhe të kontrolleve.

Kjo gjë duhet të bëhet seriozisht, ndryshe nuk do jetë e largët dita kur nuk do të jemi më në gjendje të gënjejmë askënd për të ardhur me pushime në Shqipëri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>