Top-Channel raportoi me pamje filmike momentin e mbërritjes në aeroportin e Rinasit të ambasadores së re të SHBA-ve, Yuri Kim. Ambasadorja pritet të nisë punën të enjten.
Kim është ambasadorja e tretë grua në historinë e marrëdhënieve shtetërore mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Më parë SHBA-të i kanë përfaqësuar diplomatet Marisa Lino (1996-1999) dhe Marcie Berman Ries (2004-2007).
Përpara marrjes së detyrës, në Senatin amerikan ajo paraqiti si prioritete inkurajimin e reformave, forcimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Mbërritja në Tiranë vjen pak ditë pas takimit me zv/Ndihmës Sekretarit për Shtetin, Matthew Palmer. Gjatë takimit ambasada njoftoi se ishte diskutuar rreth qëndrimit të Shqipërisë kundrejt Iranit dhe zhvillimet e fundit rreth reformës zgjedhore.
Ambasadorja e re Yuri Kim u betua më 8 janar për të marrë detyrën në vend të Donald Lusë, i cili u emërua vitin e shkuar Ambasador në Kirgistan.
Ajo është zotuar të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë të zgjidhin krizën politike, si e vetmja mënyrë për të forcuar perspektivën e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.