Grupet shqiptare të narkotrafikut vazhdojnë të marrin përsipër trafikimin ndërkombëtar të ngarkesave të mëdha të marijuanës dhe kokainës.
Mediat raportuan së fundmi për disa të arrestuar në Greqi e Holandë për mbi 1 ton marijuanë dhe rreth 13 milionë euro para të përftuara nga trafiku i kokainës, ndërsa në Brazil u sekuestruan 617 kilogramë kokainë e shenjuar me logo të klubit të futbollit Elbasani.
Zëri i Amerikës njoftoi për rezultatet e aksioneve të fundit në Greqi ku u sekuestruan 1,172 kilogramë marijuanë dhe u arrestuan 3 skafistë shqiptarë, të cilët po përpiqeshin të trafikonin në Turqi.
NRC në Holandë raportoi sekuestrimin e rreth 13 milionë eurove para të cilat dyshohet se janë nxjerrë nga trafiku i kokainës prej vendeve të Amerikës Latine. Kontrollet në 5 prona të ndryshme në Amsterdam zbuluan sasinë më të madhe të parave të pista të kapura ndonjëherë nga autoritetet holandeze. Për këtë aksion, policia arrestoi 7 persona, dy prej të cilëve ishin shqiptarë.
Më herët në Brazil mediat raportuan sekuestrimin e 617 kilogramëve kokainë të pastër me vlerë 9 milionë dollarë. Droga ishte fshehur në dyshemenë e një kamioni dhe ishte e shenjuar me logon e klubit të futbollit Elbasani.