Bilanci i vdekjeve nga Covid-19 në botë i kaloi të premten mi 100 000 viktima ndërsa të infektuarit kapërcyen shifrat e 1,6 milionë vetë.
Shifrat u deklaruan nga Universiteti John Hopkins, që theksoi se 365 mijë persona kanë mundur të shërohen nga koronavirusi.
Italia mbetet shteti me më shumë viktima me 18 849 vdekje, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë shteti me më shumë të infektuar, gati gjysmë milioni.
Në rang botëror vdekshmëria nga Covid-19 ësht tashmë 6 për qind, ndërsa në Itali është më shumë se dyfishi – 12.7 për qind.
Situata mund të ndryshojë për më keq ditët në vazhdim, ku SHBA-të mund të bëhen edhe shteti që ka më shumë vdekje – aktualisht 17 925 viktima.
Britania e Madhe raportoi sërish një numër të madh viktimash, 980 vdekje, duke e çuar totali në 8 973, ndërsa të infektuarit atje janë 71 mijë, njëri prej tyre është dhe Kryeministri Boris Johnson.
Spanja, Franca dhe Gjermania kanë gjithashtu mbi 100 mijë të infektuar, por situata duket më e qetë vetëm në Gjermani – 2 607 të vdekur.
Ndryshe ndodh në Spanjë ku vetëm ditët e fundit ka pasur një rënie të kurbës së vdekjeve – 15 970 viktima në total – ndërsa në Francë pati 554 viktima të tjera – totali 13 197 vdekje.