Thuajse gjysma e popullsisë së Sllovakisë bëri testin e koronavirusit ditën e shtunë. Vendi gjatë gjithë fundjavës do të vijojë testimin e qytetarëve, si përpjekje e qeverisë për të ulur numrin e infeksioneve pa patur nevojë për një karantinë të dytë të plotë.
Skema, e para e aplikuar në një vend me përmasat e Sllovakusë, po mbikqyret nga shtete të tjera, që kërkojnë të gjejnë mënyra për ngadalësimin e përhapjes së COVID-19.
Ministri i mbrojtjes, Jaroslav Nad tha ditën e djelë se 2,58 milionë qytetarë ishin testuar gjatë të shtunës dhe se 25,850 – ose 1% e tyre – rezultuan pozitiv dhe duhet të hyjnë në karantinë.
Sllovakia ka një popullsi prej 5,5 milion qytetarësh dhe ka për qëllim të testojë sa më shumë njerëz të mundet, përveç fëmijëve nën moshën 10 vjeç.
Mbi 40,000 mjekë dhe stafet e tyre mbështetëse si ushtarë, policë, punonjës të adminsitratës dhe vullnetarë, u vendosën në 5,000 vendndodhje të ndryshme për të mundësuar testimet me tampon.
Testimi ishte falas dhe vullnetar për të gjithë qytetarët, por qeveria ka njoftuar se do të vendosë karantinë për ato që nuk marrin pjesë, përfshi edhe ndalimin për të shkuar në punë.