
Spanja raportoi të enjten 655 viktima të tjera me koronavirus duke e çuar totalin në 4 089 të vdekur duke u bërë vendi me më shumë vdekje në botë, pas Italisë.
Në Itali prej koronavirusit kanë vdekur 7 500 persona. Por situata në Spanjë është dramatike pasi më shumë se gjysma e vdekjeve të përgjithshme janë shënuar vetëm 4 ditët e fundit – 2 362 vdekje ku vetëm e mërkura pati 738 viktima.
Tashmë janë 56 188 të infektuar me Covid-19, prej të cilëve 17 166 janë në Madrid. Atje janë regjistruar diçka më shumë se gjysma e vdekjeve të raportuara në vend deri më sot – 2 090.
Prej 14 marsit vendi është vënë në shtetrrethim. Parlamenti vendosi sot ta zgjasë këtë masë deri më 11 prill.
Kryeministri Pedro Sanchez, bashkëshortja e të cilit është infektuar nga koronavirusi, është shprehur se ky, për Spanjën, është momenti më i vështirë që prej luftës civile të viteve 1936-39.
I infektuari i parë me koronavirus në Spanjë u diagnostikua më 31 janar, ndërsa viktima e parë më 13 shkurt.