Numri i të papunëve në vend u rrit me 43 405 gjatë tremujorit të parë të 2021.
“Shuarja e efektit pozitiv të sezonit veror në degët e shërbimeve dhe shtrëngimi i masave
kufizuese vlerësohen të kenë ndikuar punësimin. Krahasuar me një vit më parë, numri i individëve të cilët kanë humbur punën rezultoi rreth 43,405”, thuhet në raportin tremujor të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, të botuar më 12 maj.
Raporti ka gjetur se ulja e numrit të të papunëve në “tremujorin e tretë të vitit 2020 rezultoi i përkohshëm”.
“Numri i të punësuarve u pakësua me 27,595 individë gjatë tremujorit të katërt, kryesisht në reflektim të rënies së punësimit në sektorin e shërbimeve”, thekson Banka e Shqipërisë.
Rënia e punësimit është shoqëruar në masën më të madhe me dalje nga tregu i punës, çka do të thotë se është ulur numri i personave që kërkojnë punë. Kjo vjen për shkak të daljes në pension ose të emigracionit.
Sipas Bankës: “Kjo lëvizje është pasqyruar në rënien e shkallës së pjesëmarrjes në tregun e punës në tremujorin e katërt (68.7%), kundrejt vlerës së treguesit në tremujorin e tretë (69.8%)”.