Presidenti i Ilir Meta, priti sot në një takim Avokatin e Popullit, Erinda Ballanca mbi shqetësimet e banorëve të Radhimës, Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit të cilët pretendojnë se po i shkelet e drejta e pronës nga zbatimi i projektit infrakstrukturor “Rehabilitimi dhe ndërtimi i objekteve në afërsi të rrugës bregdetare Vlorë-Orikum”.
Presidenti njofton se Avokati i Popullit e ka vënë në dijeni se janë mbi 60 ankesa që i janë drejtuar nga banorët lidhur me këtë projekt dhe se ky institucion, ka filluar një hetim administrativ për këtë çështje.
Meta e nxiti Ballancën të përfundojë vlerësimin e ankesave të komunitetit lidhur me mosrespektimin e pretenduar të të drejtave dhe lirive themelore gjatë hartimit, miratimit dhe implementimit të projektit.
Kreu i Shtetit theksoi se, nëse qeveria dhe pushteti vendor, shmangin respektimin e të drejtave të qytetarëve, është detyra e institucioneve të pavarura dhe e Gjykatës, të kryejnë vlerësimin e çdo pretendimi sipas fushave të tyre të përgjegjësisë.
Presdidenti Meta ka adresuar disa herë si shkelje të Kushtetutës rastin e rrugës Vlorë-Orikum, me shkresa drejtuar ministrisë si dhe me dalje mediatike.
Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ka akuzuar presidentin Ilir Meta për bllokimin e financimit të rrugës Vlorë-Orikum.