Shumica e votuesve të Partisë Socialiste dhe koalicionit të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit kanë zgjedhur të japin votë parapëlqyese edhe për kandidatët për deputetë ndonëse e njejta gjë nuk mund të thuhet për votuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga totali i votave të vlefshme që kanë marrë partitë në rang vendi kemi këto të dhëna:
- 48% e votuesve të PSD kanë votuar edhe për kandidatin;
- 23% e votuesve të LSI kanë votuar edhe për kandidatin;
- 71% e votuesve të koalicionit PD-AN kanë votuar edhe për kandidatin;
- 75% e votuesve të PS kanë votuar edhe për kandidatin.
Referuar këtyre të dhënave, nga 107536 votues të LSI-së, vetëm 24733 në të gjithë vendin kanë votuar edhe për një kandidat të kësaj partie.
Më shumë vota për kandidatët kanë dhënë votuesit e PS dhe koalicionit PD-së.
Janë 576187 vota për kandidatët e PS dhe 441808 vota për kandidatët e koalicionit të PD-së.
Në zgjedhjet e 25 prillit ka patur vetëm 4 raste kur kandidatët e renditur poshtë pjesës fituese të listave të partisë kanë arritur të marrin mandatin e deputetit duke siguruar numrin e mjaftueshëm të votave:
Ornaldo Rakipi dhe Fatmir Xhafaj në Tiranë, Luçiano Boçi në Elbasan dhe Gramoz Ruçi në Fier.