Mbreti i Suedisë pranon se strategjia e vendit kundër pandemisë ka dështuar

Nga Exit News
Mbreti i Suedisë pranon se strategjia e vendit kundër pandemisë ka dështuar

Mbreti i Suedisë ka thënë se strategjia e vendit të tij kundër përhapjes së COVID-19 ka dështuar.

Kritikat ai i bëri pasi spitalet në rajonin e Stokholmit paralajmëruan vështirësinë për të përballuar një rritje të rasteve, teksa sondazhet tregojnë se besimi i publikut tek autoritetet ka rënë në një minimum historik, raporton The Guardian.

“Mendoj se kemi dështuar. Ne kemi një numër të madh humbjesh jete, dhe kjo është e tmerrshme. ”, tha mbreti Karl Gustaf i XVI-të  për televizionin shtetëror SVT

Qëndrimi i mbretit vjen pasi dy rajonet kryesore suedeze të Stokholmit dhe Skane njoftuan se ata ishin detyruar të shtynin zbutjen e masave pasi sektori shëndetësor i tyre rrezikohet në rast se përballet me një valë të re të infektuarish.

Një sondazh i Ipsos për të përditshmen Dagens Nyheter të enjten, tregoi se mbështetja e publikut për autoritetet në përgjithësi ra në 34%, përqindja më e ulët e regjistruar në vend.

Besimi kishte rënë edhe për Anders Tegnell, arkitektin e strategjisë kundër COVID-19 të Suedisë, dhe Agjencinë e Shëndetit Publik.

Suedia shmangu masat bllokuese kundër pandemisë në favor të masave kryesisht me vullnet të lirë. Të mërkurën u raportua se totali i vdekjeve në vend është 7 802, me më shumë se 500 në javën e fundit dhe më shumë se 1 800 që nga fillimi i Nëntorit.

Numri i rasteve për milion banorë në Suedi është afërsisht 10 herë më i lartë se Norvegjia dhe Finlanda dhe gati pesë herë se i Danimarkës, por më i ulët se disa vende evropiane që vendosën bllokime, si Franca, Italia, Spanja dhe Britania.

Qasja e vendit deri më tani është mbështetur kryesisht në përgjegjësinë e qytetarëve për të ndjekur rekomandimet e higjienës dhe distancës, me dyqanet, baret dhe restorantet që qëndrojnë të hapura gjatë gjithë pandemisë ndërsa maskat nuk rekomandohen jashtë spitaleve.

Pasi goditi vala e dytë e pandemisë, Agjencia e Shëndetit Publik dhe qeveria nxorën rregulla më të ashpra, duke ndaluar shitjen e alkoolit pas orës 10:00, duke ulur tubimet publike nga 50 në tetë vetë dhe duke i kaluar shkollat ​​e mesme në mësimdhënie në internet.

Njerëzve u është thënë gjithashtu që të shmangin transportin publik dhe dyqanet e mbushura me njerëz, të kufizojnë ndërveprimet shoqërore në familje dhe të mos shkojnë në palestër, bibliotekë, qendra tregtare ose vende të tjera publike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>