Pas mbytjes së trefishtë në Zvërnec pak ditë më parë, dy persona të tjerë janë mbytur gjatë 24 orëve të fundit.
Një vajzë 17 vjeçare u mbyt sot në plazhin e Ksamilit në Sarandë. Policia dyshon se vajza mund të jetë një turiste ruse.
Dje, në orët e mbasdites, një 35 vjeçar u mbyt në plazhin e Velipojës. Sipas njoftimit të policisë, turisti nga Kosova kishte hyrë për të shpëtuar bashkëshorten, por ka humbur jetën.
Për tragjedinë e Zvërnecit, institucionet shtetërore hoqën të gjitha përgjegjësitë nga vetja duke deklaruar se ai plazh nuk përfshihet në listën e plazheve të sigurtë, hartuar nga Ministria eTurizmit, ndaj aty shteti nuk ka për detyrim të ofrojë asnjë masë sigurie (kulla vrojtimi, roje bregdetare) për pushuesit.
Ndërkohë, në plazhet e Ksamilit dhe Velipojës, edhe pse të listuar si plazhe të sigurtë, nuk ka asnjë roje bregdetare. Në gjithë plazhin e Sarandës gjendet vetëm një kullë vrojtimi, që nuk përdoret; ndërsa në Velipojë nuk ka asnjë të tillë.
Kjo ndodh edhe pasi në vitin 2014 Agjencia Kombëtare e Bregdetit trajnoi dhe certifikoi 41 studentë të Akademisë së Sporteve si roje bregdetare.
Duket se në kulmin e sezonit turistik, plazhet e vendit, si ato të ndaluar dhe ato të aprovuar nga qeveria, nuk ofrojnë asnjë siguri për pushuesit.