Prej datës 18 prill do të nisin fluturimet për kthimin e shqiptarëve që kanë mbetur në shtetet e tjera për shkak të mbylljes së kufijve prej pandemisë së koronavirusit. Por qeveria nuk do të marrë përsipër kostot ekonomike, qoftë dhe të vënies së tyre në karantinë të detyrueshme.
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku zbuloi të martën se qeveria ka ndërmjetësuar hotele në Durrës dhe kompaninë Air Albania për të krijuar disa paketa “me çmime të arsyeshme” për shqiptarët që kanë mbetur jashtë shtetit.
Ata duhet të paguajnë përveç biletës së kthimit edhe kostot e qëndrimit për 14 ditë në hotele të cilat do të sajohen si karantinë.
Rezervimi i paketave do të nisë të enjten në web-faqen e Air-Albania ndërsa fluturimi i parë, më 18 prill do të bëhet me destinacion Romën, Itali.
“E gjitha kjo paketë ku përfshihet transporti ajror dhe strukturat e hotelerisë, të vendosura në dispozicion të karantinimit, do të mund të rezervohet online me pagesa të arsyeshme, të cilat garantojnë shërbimin tuaj në kushtet e sigurisë sanitare dhe atyre shëndetësore.”
Balluku shpjegoi se qytetarët shqiptarë duhet të zgjedhin një nga paketat që do të përditësohen së shpejti në faqen e Air-Albania dhe më pas të konfirmojnë një formular elektronik, të cilin duhet ta firmosin dhe mbajnë me vete gjatë udhëtimit.
“Në momentin që personat e riatdhesuar do të mbërrijnë në Rinas, aty do t’i nënshtrohet një procesi të verifikimit të gjendjes së tyre shëndetësore dhe më pas do të transportohen në shoqërimin e policisë për në Durrës, ku do të qëndrojnë 14 ditë në karantinë.”
Fluturimet drejt Italisë mund të shfrytëzohen edhe nga qytetarët italianë apo shqiptarë që kanë lejeqëndrimi në vendin fqinj.
Nuk është e qartë se përse qeverisë iu desht 1 muaj për të marrë përsipër një zgjidhje të tillë, ndërkohë që në ditët para epidemisë deklarohej se autoritetet kishin të gatshme struktura për karantinë.
Shërbimi i hoteleve në Durrës u dha si zgjidhje nga qeveria edhe për të pastrehët e tërmetit të 26 nëntorit 2019, por asokohe kostoja e qëndrimit të tyre u mor përsipër nga qeveria.
Javën e shkuar rreth 100 emigrantë të kthyer nga Greqia, u detyruan të viheshin në karantinë me shpenzimet e tyre në hotele të Korçës, të cilat kërkojnë një kosto prej 25 000- 35 000 lekë për person.
Kthimi i tyre u pamundësua për rreth 5 ditë. Qeveria i la në zonën neutrale të kufirit me Greqinë edhe pse pala greke i kishte lënë të ktheheshin.