Prej muajsh ishim duke pritur që qeveria Rama të bënte ndonjë reformë të majtë, por ndodhi krejt e kundërta. Të varfërit u futën në burg dhe milionerët morën kontrata gjithnjë e më të mëdha, të varfërit u detyruan të emigrojnë dhe ministrat shëtisnin me makina më luksozë, të varfërit u detyruan të paguajnë energjinë elektrike ndërsa milionerët shisnin shtrenjtë asistencën psikologjike punonjësve të ndërmarrjes së energjisë elektrike.
Është e vërtetë se në të gjithë botën, dallimet ideologjike në politikë janë zbehur, por baza ideologjike e PS në formatin e Rilindjes ishte shumë e vështirë për t’u kuptuar dhe, me përjashtim të dhënies së medaljeve disa veteranëve të Sigurimit, e gjithë Shqipëria pyeste veten nëse në të vërtetë kishte ngelur diçka e majtë në filozofinë politike të Rilindjes.
Më në fund, truri i vërtetë mendimtar i të majtës shqiptare na ndriçoi: i intervistuar nga Ylli Rakipi në transmetimin e tij në Ora News, Koço Kokëdhima na tregoi se propozimi i tij për legalizimin e marijuanës bazohet në perceptimin ideologjik të së majtës evropiane.
Në fakt në Evropë thonë se marijuana është e majtë ndërsa kokaina e djathtë.
Nga kjo pikëpamje, parashikohen debate dhe ndarje të reja doktrinare brenda së majtës.