Me të rinjtë e Tiranës, Agron Shehaj: Nëse doni të bëheni të pasur, mos u merrni me politikë

Nga Exit News
Me të rinjtë e Tiranës, Agron Shehaj: Nëse doni të bëheni të pasur, mos u merrni me politikë

“Nëse doni të bëheni të pasur mos u merrni me politikë, se duke u marrë me politikë nuk bëhesh i pasur.”

Ky ishte një nga mesazhet që iu drejtua të rinjve Agron Shehaj, drejtues politik për Tiranën në Njësitë 5 dhe 7 në Tiranë për PD-në, me të cilët ndau arsyet që e shtynë të përfshihet në politikë dhe vlerat e parimet ku ai beson.

Ai u tregoi rrugëtimin e tij në biznes dhe arsyet që shtynë të përfshihej në politikë. Sipërmarrësi i njohur theksoi se në politikë është futur për të qenë pjesë e vendimmarrjes të ndryshimit. Ai e vuri theksin tek domosdoshmëria që ka vendi për politikanë të ndershëm, që të besojë në vlera dhe të luftojnë korrupsionin.

“Një njeri duhet të futet në politikë nëse do realisht të japë një kontribut për vendin. Unë nuk kam asnjë siklet e jua them dhe juve: nëse doni të bëheni të pasur mos u merrni me politikë, se duke u marrë me politikë nuk bëhesh i pasur, kemi pasur shembuj plot që janë bërë të pasur përmes politikës, por unë nuk do t’ua këshilloja. Ka mënyra të tjera për tu bërë i pasur pa u bërë hajdut, pa tradhëtuar votën e njerëzve dhe besimin e njerëve”, tha Shehaj.

Shehaj u tha të rinjve se nuk ka pasur një model frymëzimi, por frymëzimi i tij në jetë kanë qenë vlerat perëndimore, meritokracia, drejtësia dhe puna. Ish-deputeti i PD-së vuri theksin tek largimi në masë i të rinjve pasi nuk shohin shpresë dhe të ardhme në vend pikërisht për faj të politikës.

Ai konstatoi se largimi i të rinjve është një problem i madh, por e ka një zgjidhje nëse politika do të krijonte kushtet që të mos iknin më.

“Të krijojmë kushtet që njerëzit të mos ikin më. Kjo nuk arrihet duke bërë një ligj e duke thënë se nuk mund të ikin më të rinjtë, por duke krijuar kushtet që njerëzit të qëndrojnë. Këtë ne duam të bëjmë pas 25 prillit. Nuk është një gjë e pamundur, sepse është bërë. Në 8-vjeçarin e parë të qeverisjes së Partisë Demokratike kjo gjë ka ndodhur. Unë kam qenë personalisht dëshmitar i asaj që ka ndodhur: njerëz që ktheheshin nga emigracioni për të dhënë kontribut këtu”.

Shehaj u kërkoi të rinjve që të përfshihen në këto zgjedhje, të mos jenë indiferent për të ardhmen e tyre. “Thelbi është; a duam të vazhdojmë në një situatë ku një grup njerëzish ka kapur vendin dhe e përdor për interesa personale dhe pjesa më e madhe sidomos të rinj, janë të pashpresë dhe ikin?!”- theksoi ai, duke kërkuar që ata me votën e tyre të bëjnë ndryshimin në 25 prill.

Të rinjtë kërkuan të dinin për suksesin e tij në biznes dhe në politikë dhe vlerat në të cilat ai beson.

“Është këmbëngulja, jo vetëm këmbëngulja për tia dalë, por edhe këmbëngulja që më shtyu të ndiqja e të respektoja ato vlera dhe parime që unë kisha. Po të isha dorëzuar dhe po të isha bërë si të tjerët, unë do të korrja të njëjtat rezultate që korrin të tjerët, pra ose do të dështoja ose do të pajtohesha e do të gjeja mënyrën për tu lidhur me ndonjë qeveritar a pushtetar, të fitoja ndonjë tender të majmë e t’i ndaja paratë me ata.

Jam 100% i bindur se kjo është rruga që duhet ndjekur që edhe në politikë duhen ndjekur të njëjtat vlera. Mendoj se në Shqipëri ka një problem shumë të madh me korrupsionin, me politikanë që janë në politikë thjeshtë për të vjedhur.

Shqipëria duhet t’i garantojë qytetarëve politikanë të aftë dhe të ndershëm që nuk punojnë vetëm për vete dhe pastaj të rrisë mirëqenien e njerëzve, të rrisë mundësitë, të krijojë një ambjent ku bizneset mund të investojnë, të lulëzojnë, të ketë meritokraci për të gjithë”- tha ndër të tjera Shehaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>