Ç’nënkupton për ju «mediokriteti»?
Në frëngjisht nuk ekziston ndonjë fjalë tjetër veç «mediokritetit» për të përshkruar atë që është «mesatare». «Superioriteti» të çon në atë që është superiore, «inferioriteti», në atë që është inferiore, por “mesatariteti”, nuk pranohet gjuhësisht të thuhet. Por, ka një ndryshim semantik midis mesatares dhe mediokritetit, që do të thotë se mesatarja, është një vend midis në shkallën e vlerave, kurse mediokriteti është mesatarja në aksione, në veprime.
Mediokriteti ndërton një regjim ku mesatarja është një normë që imponohet dhe mishërohet. Pra, rregulli mediokër ngrihet në model. Dhe këtu nuk bëhet fjalë të stigmatizojmë ndokënd, por më së shumti të kuptojmë natyrën e kësaj qasje të të qënit mediokër, i cili sot po peshon mbi njerëzit që nuk janë domosdoshmërisht të prirur për të qenë të tillë.
Por, pse kjo qasje, nga vjen ajo?
Mediokriteti vjen si fillim nga ndarja dhe industrializimi i punës, e cila i transformoi zanatet në punë. Marksi e ka përshkruar këtë që në vitin 1849. Duke e reduktuar punën, në forcë dhe pastaj në kosto, kapitalizmi e devitalizoi, tejlorizmi e çoi edhe me tej këtë logjikë duke e standardizuar. Zanatet po ashtu janë humbur në mënyrë progresive në kohë me standartizimin e punës, dhe puna u kthye në një mjet përfitimi mesatar impersonal.
Në sytë e një numri të madh rrogëtarësh, që kalojnë në mënyrë indiferente nga njëra punë në tjetrën, puna reduktohet në një mjet për të jetuar. Përfitim mesatar, rezultat mesatar, objektivi mbetet që njerëzit të bëhen dhe të mbeten të shkëmbyeshëm, duke qenë gjithnjë pjesë e ansambleve të mëdha prodhuese që janë pak jashtë ndërgjegjës së botës, por që janë të dobishme për arkitektët dhe përfituesit direkt të tyre.
Ju këmbëngulni se në origjinën e mediokritetit është edhe rritja e fuqisë së «qeverisjes»…
Është gjella politike në gjenezë të mediokritetit. Në dukje e padëmshme, termi i «qeverisjes» është prezantuar nga Margaret Thaçer dhe bashkëpunëtorët e saj të viteve 80. Nën mbulesën e gjesteve të mira të institucioneve publike, qeverisja nënkuptonte aplikimin nga ana e Shtetit të metodave të huazuara nga ndërmarrjet private, që supozohej se funksiononin më mirë.
Qeverisja, që prej asaj kohe ka “lulëzuar”, ajo është një formë qeverisje e shtetit neoliberal që karakterizohet nga derregullimi dhe privatizimi i shërbimeve publike, dhe nga adaptimi që i bëhet institucioneve sipas nevojave të ndërmarrjeve të mëdha private. Nga politika, kaluam te qeverisja, të cilën duan që ta ngatërrojnë me qëllim me demokracinë, por që në fakt qeverisja dhe demokracia janë në opozicion me njëra-tjetrën.
Nën një regjim qeverisje, aksioni politik është i reduktuar në menaxhim operacional, në atë që manualet e menaxhimit e quajnë «problem solving»: gjetjen e një zgjidhje imediate për një problem imediat, gjë që përjashton gjithë kohën dhe përpjekjet për mendim afatgjatë që ndërtohet mbi principe, po ashtu përjashton gjithë debatin publik për vizionin poltik të botës. Në regjimin e qeverisjes, në kuptimin që termi merr siç e shpjeguam me lart, ne jemi të ftuar të jemi partnerë të vegjël të bindur, që mishërojnë një vizion mesatar të botës, në një perspektivë unike, asaj të liberalizmit.
Pra, të jesh mediokër, s’do të thotë të jesh i i paaftë?
Jo. Sistemi mbështet ngritjen në karrierë të aktorëve mesatarisht kompetentë, në dëm të super kompetentëve, apo të kompetentëve perfekt. Këtë të fundit sepse nuk bëjnë kompromise kurse të parët sepse ata rrezikojnë të vënë në pikëpyetje sistemin me vlerat dhe bindjet e tij. Kurse mediokri duhet të ketë një dije të nevojshme, por që nuk i mëson të vërë në pikëpyetje bazat e tij ideologjike. Shpirti kritik tkurret sepse ai në kushte të tjera shfaqet në gjithë momentet përpara secilit fakt ose ndodhi, ai është i hapur ndaj dyshimit dhe operon nën rregullat e vetëkërkesave të tij. Nga ana tjetër mediokrit, i kërkohet vetëm të «luajë lojën».
Ç’doni të thoni?
«Të luash lojën» është një shprehje e varfër që ka në përbërje të njëjtën fjalë të lidhur nga një lidhës, «Jouer le jeu», kjo shprehje ka karakter tautologjik. Është një shprehje e lehtë, banale në dukje dhe e gjallë. Të luash lojën do të thotë të pranosh të luash praktikat zyrtare, që i shërbejnë interesit afatshkurtër, t’i nënshtrohesh rregullave dhe t’i largosh sytë nga e pa-thëna, nga e pamenduara dhe e nënkuptuara. Të luash lojën do të thotë të pranosh të mos përmendësh një emër në raport, të hamëndësosh për një gjë, të mos përmendësh diçka tjetër, të lejosh arbitraritetin të marr terren. Në fund pra, të luash lojën ka të bëjë me potencialin për të gënjyer, dhe për të mbajtur funksionale institucione të korruptuara.
Korrupsioni, ia ka dalë që të shtrihet kaq shumë sepse aktorët që janë të përfshirë në të ka raste që nuk janë të ndërgjegjshëm për këtë fakt. Për shembull, kur universitet formojnë dhe nxjerrin studentë që s’do të jenë kurrë shpirtra autonomë por ekspertë gati për t’u instrumentalizuar.
Rektori i Universitetit të Montrealit e konfirmoi në evidencën e vjeshtës së vitit 2011, «truri duhet t’i korrespondojë nevojave të korporatave». Korporatat pra e kanë shtëpinë në administrimin e universiteteve, edhe pse universitetet në pjesën më të madhe janë të financuara nga buxheti i shtetit. Rektori i universitetit kryesor frankofon, përsëriti thuajse fjalë për fjalë propozimet e Patrick Le Lay, në atë kohë PDG i TF1, thoshte në vitin 2004 që kanali i tij televiziv i shiste «kohë për të pushtuar mendje», Koka-Kolës.
Të luash lojën do të thotë gjithashtu të dish të adoptosh gjuhën e kompanive private…
Nën rregullin e qeverisjes, shërbimi publik zhduket, edhe bashkë me të edhe terminologjia që ka ai. Pacienti në spital, përdoruesi i trenit dhe metrosë, spektatori i sallës së koncertit, i abonuari në muze, të gjithë këta kthehen në «klientë». Në radion shtetërore të Kebekut, një gazetar kulturor më pyeti nëse isha «konsumator i teatrit». Kurse në bibliotekën kombëtare, kur jam me vonesë për të dorëzuar librat, ata më nisin një letër e cila fillon me “I dashur klient …”. Këto fjalë nuk janë të rastësishme, as të padëmshme. Ato tregojnë shumë. Dhe e shpjegojnë revolucionin anestezist që po jetojmë sot.
Në qendër të mediokritet vutë ekspertin, pse?
Eksperti është shpesh mediokër, në kuptim që ne i dhamë kësaj fjale. Ai nuk është jokompetentë, por ai e formon mendimin e tij në funksion të interesit të atyre që e punësojnë. Ai është i pajisur me të dhëna praktike dhe teorike për të cilat kanë nevojë ata që e shpërblejnë për t’i legjitimuar. Për pushtetin, ai është qënia mesatare përmes të cilës imponohen rregullat.
Pra eksperti është i limitur në masën e nevojave që ka kompania që e punëson, industria, apo një i interesuar tjetër privat. Një ekspert i punësuar nga Koka-Kola nuk do të përmendë kurrë në studimet e tij se Koka-Kola është shkak për obezitet. Një tjetër do të konfirmojë që ndryshimet klimatike nuk janë të lidhura me aktivitetin industrial sepse një X firmë telefonash celularë ia subvencionon kërkimet e tij. Në këto kushte do na ishe dashur një Molier që t’i jepte ekspertëve fatin që autori i të «I sëmuri imagjinar», i kishte rezervuar mjekëve të kohës së tij.
A mund të themi që mediokriteti çon po ashtu edhe në ventitjen e diskursit politik?
Patjetër, është mesi, qendra, mesatarja që dominon mendimin politik. Diferencat midis diskurseve janë minimale, më shumë janë simbolet sesa parimet ato që ndryshojnë, dhe vetëm në shfaqje ka mospajtime. «Ekulibrat e masës», «mesi» apo «kompromisi» janë ngritur në nocione fetish. Ky është rregulli politik i i ekstremit të qendrës, ku pozicioni i përket më shumë një pike në aksin e majtë – e djathtë, sesa zhdukjes së këtij aksi në përfitim të një qasje dhe logjike të vetme.
Në këtë kontekst mediokër, mbretërojnë këto lloj kombinimesh. Sapo udhëheqësit fitojnë zgjedhjet, ata ndjekin një linjë tjetër politike nga ajo për të cilën janë votuar, zgjedhësit në zgjedhjet vendore përfitojnë për të protestuar me votë për gabimet e politikës së madhe, votojnë Frontin Nacional për të shprehur inatet e tyre, mediat i favorizojnë këto ndodhi dhe interesohen vetëm për strategjitë e aktorëve. Asnjë vizion për të ardhmen, gjithë loja politike është afatshkrurtër, dhe në sajesë të vazhdueshme.
Si t’i rezistojmë mediokritetit?
Si fillim duhet t’i rezistojmë bufes në të cilën na ftojnë, tentacioneve të vogla të cilat të fusin në lojë. Të thuash jo. Jo, unë s’do ta marr këtë funksion, jo, s’do ta pranoj këtë promocion, unë heq dorë nga ky avantazh apo nga kjo mirënjohje, sepse ajo është e helmuar. Të rezistosh, në këtë kuptim është një asketizëm dhe nuk është e thjeshtë.
Të kthehemi te kultura dhe te referencat intelektuale është diçka e nevojshme. Nëse ulemi të lexojmë, të mendojmë, të pohojmë vlerën e koncepteve që sot fshihen sikur të ishin të pakuptimtë, t’i rijapim kuptim gjërave që ia kemi hequr, të mos jemi përjashtues, atëherë do të avancojmë edhe politikisht. Nuk është aspak rastësi që edhe gjuha është sulmuar edhe prekur nga gjithë këto. Duhet ta rehabilitojmë edhe atë.