Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu kërkoi nga Partia Demokratike që koalicioni me partitë opozitare të mos ishte si “një marrëdhënie arithmetike”.
Mediu theksoi rëndësinë e bashkimit organik të opozitës në zgjedhjet e 25 prillit, gjatë një mbledhjeje me koordinatorët e PR në Tiranë.
“Votat që duhen për të marrë një mandat në koalicion, janë po aq vota sa duhen për të marrë një mandat edhe si parti më vete. I kemi shërbyer ndershmërisht së djathtës, i kemi shërbyer ndershmërisht qëndrimit tonë politik, si forcë e djathtë, për të bërë gjënë më të mirë për vendin tonë, ne kemi menduar që duhet të bashkohemi për të larguar këtë regjim të korruptuar, regjimin e Edi Ramës.”
Kreu i Republikanëve kërkoi që bashkimi në koalicion të krijojë “një sinergji” me qëllim që të ketë ide të qarta brenda opozitës të cilat sipas tij “bëhen të vlefshme në qoftë se kuptohen nga njerëzit”.
Së dyti, Mediu kërkoi që opozita të krijojë një kontratë sociale për qeverisjen dhe ndërtimin e shtetit shqiptar.
“Është e rëndësishme që ne të krijijmë një kontratë sociale të opozitës, për qeverisjen dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, mbas zgjedhjeve të 25 prillit dhe rikthimin në rrugën e integrimit europian, një marrëdhënie dhe një kontratë sociale dhe politike që duhet ta bëjmë të lexueshme, të kuptueshme, të pranueshme apo të diskutueshme me çdo shqiptar, në çdo skaj të Shqipërisë, për ta bërë pjesë të proçesit, sepse pjesëmarrja në këtë proçes zgjedhor është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm.”
Më herët, kreu i Lëvizjes Kombëtare për Zhvillim, Dashamir Shehi paralajmëroi se Partia Demokratike dhe 5 partitë e vogla aleate do të konkurrojnë në një listë në zgjedhjet e 25 prillit.