Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu deklaroi të dielën në një takim elektoral në Laprakë se më 25 prill “lufta është ndaj Edi Ramës, jo ndaj të majtëve apo të djathtëve”.
Ai tha se Rama ka shkatërruar vendin dhe ka ndërtuar vetëm krim dhe korrupsion.
“Pushteti i krimit dhe korrupsionit që ka ndërtuar Edi Rama, është parajsa e Ramës por është shkatërrimi i familjeve tona dhe të ardhmes tonë si shqiptarë. Prandaj jemi sot këtu të gjithë bashkë, me një angazhim dhe një qëllim, për të ndërtuar atë që është e ardhmja e fëmijëve tanë, e familjeve tona, e prindërve tanë, e Laprakës dhe e gjithë Shqipërisë”, tha Mediu.
Ai tha se nuk duhet të votojnë Ramën pasi ai po ndërpret rrugëtimin në BE.
“Nuk mund të ketë njeri që të dalë dhe të na ndërpresë rrugëtimin tonë europian. Prandaj është shumë e rëndësishme që të fillojmë të kuptojmë vlerën tonë si qytetarë në demokraci, peshën dhe dinjitetin që ne duhet t`i japim familjes sonë dhe njëkohësisht vendit dhe kombit tonë”, tha Mediu.