Memoriali që nuk na nevojitet e as na prish punë

Nga Vehap Kola
Memoriali që nuk na nevojitet e as na prish punë

Nuk ka asgjë më spektakolare në luftën ndërmjet tiranisë dhe demokracisë sesa ngadhënjimi i popullsisë civile turke ndaj grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016. Ndoshta një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë mbi faqen e dheut.

Ne kremtojmë sot ngjarje që kanë bërë historinë e njerëzimit si Revolucioni Francez, Revolucioni Amerikan, apo rënia e komunizmit. Por as këto, as data të tjera, që i kanë dhënë emrin epokës së tyre, nuk kanë dëshmuar më kthjellët triumfin e paqes mbi dhunën sesa ky ngadhënjim. Të paktën jo në truallin politik.

Për këtë arsye, 15 korriku 2016 do të duhej të zinte qoshenë edhe në narrativën neoliberale, e cila gëzon një pozitë dominuese në prodhimin e ligjërimit publik në botë. Megjithatë, jo për çudinë e shumëkujt, kjo nuk ndodhi. Grushti i shtetit u pa me simpati nga qarqet liberale si një rrugë e keqe e domosdoshme për të marrë skeptrin e pushtetit nga një grupim politik që nuk është pjesë e axhendës liberale. Me dështimin e dhunës ushtarake, simpatia për grushtin e shtetit u kthye në një urrejtje ndaj penguesve të tij: qytetarëve turq.

Vendosja në Tiranë e një memoriali në nderim të viktimave civile të puçit ushtarak në Turqi ka shërbyer si një mekanizëm shkrehës i këtij mllefi patologjik ndaj gjithçkaje që identifikohet me atë gur kilometrik të demokracisë si mënyrë qeverisjeje e përzgjedhur paqësisht nga vetë popullsia. Pa asnjë vërejtje për kudondodhjen e emërtimeve që s’kanë asnjë lidhje me Shqipërinë dhe historinë e saj, apo me demokracinë dhe vuajtjet e saj, politikanë, aktivistë, gazetarë, dhe klerikë të krishterë u shkrinë në një për të bërë thirrje për heqjen, shembjen apo hedhjen në erë të memorialit.

Kushdo që ka pak njohje për Turqinë e ka të qartë se diplomacia turke është një katastrofë, ndaj prej saj nuk mund të pritet një zgjedhje më e duhur edhe sa i përket kërkesës për një memorial të tillë. Akoma më djallëzor është miklimi që Edi Rama dhe Erion Veliaj duan t’u bëjnë turmave myslimane – simpatizuese ndaj Turqisë erdoganiste – me nguljen e asaj pllakate në bregun e liqenit artificial të Tiranës. Aksionistët mjaftistë të protestave në Gezi Park të Stambollit në vitin 2013 u përpoqën kësaj herë të paraqiten si miq të Erdoganit. Këtu ka një mijë probleme në të menduarit dhe të kuptuarit, të cilat bëjnë me faj të gjitha palët politike dhe civile, dhe që meritojnë trajtesa të veçanta.

Por çfarë ka rëndësi janë premisat mbi të cilat ngrihet gjithë kjo valë pllakatofobie – në jo pak raste me nota militante.

Së pari, kundërshtuesit e pllakatës fajësojnë Turqinë si pushtuese 500-vjeçare e Shqipërisë. Si për ironi, kronologjia e zgjerimeve osmane u jep më shumë të drejtë turqve të akuzojnë Ballkanin si pushtues të principatave të tyre, në aleancë me një prej principatave më pak të spikatura të Anadollit. U desh pikërisht shembja e perandorisë osmane që të krijohej Shqipëria e më pas edhe Turqia. Çdo vërejtje për Turqinë dhe turqit duhet të nisë pikërisht me republikën ataturkiste të 1923-shit.

Së dyti, kundërshtimi merr për të mirëqenë se ngjarja që ndodhi andej e këndej Bosforit nuk ka lidhje me Shqipërinë apo me demokracinë, ndonëse me Shqipërinë apo demokracinë nuk kanë të bëjnë as Mustafa Qemal Ataturku, që i ka dhënë emrin një sheshi (ish-21 dhjetori në Tiranë), Xhuzepe Garibaldi, që po ashtu ka marrë një shesh (ish-sheshi Stalin), apo Zhan D’Ark, emri i të cilës shëllehet përgjatë Lanës përkarshi patriotit dhe veprimtarit Bajram Curri.

Së treti, grushti i shtetit i 15 korrikut në Turqi konsiderohet prej kundërshtuesve të pllakatës si një ngjarje politike e brendshme e atij vendi, në të cilën Shqipëria nuk duhet të marrë anë. Domethënë, si organizatorët dhe zbatuesit e grushtit të përgjakshëm të shtetit, si rezistenca e të gjithë institucioneve civile, të gjitha partive politike dhe e popullsisë civile janë moralisht të barabartë dhe të legjitimuar në përpjekjet e tyre. Shumë e çuditshme për këdo që militon për demokracinë dhe liritë njerëzore.

Së këndejmi përftohet edhe premisa e katërt, ajo se ngadhënjimi i popullit turk ndaj juntës ushtarake është fitore e një diktatori si Erdogani, që burgos gazetarët dhe përndjek kundërshtarët politikë. Kjo nuk shpjegon se përse opozita turke është rreshtuar si një ndër refuzueset e para dhe më të vendosura të grushtit ushtarak të shtetit.

Së pesti, kundërshtuesit e memorialit janë përgjithësisht të një mendjeje se grushti i shtetit do të rikthente laicitetin (sipas tyre të dëmtuar rëndë) të shtetit turk, dhe Turqinë do ta risillte në aleancën perëndimore. Vetëdijshëm apo jo, ata lënë të kuptojnë se Perëndimi më së paku e kishte parë me simpati puçin, në mos qoftë që e ka nxitur apo përkrahur praktikisht. Një nëntekst i tillë nuk do të tolerohej nga udhëheqësit e Amerikës dhe Bashkimit Europian. Jo rastësisht kjo akuzë përhapet nga lobet euroskeptike në Turqi. Ajo vërteton edhe njëherë se ekstremet bashkohen.

I ideuar dhe i vendosur nga politikanë, s’do mend se memoriali është një akt politik dhe synon të arrijë qëllime politike. Ato qëllime duhen zbërthyer dhe analizuar. Për to duhet mbajtur qëndrim në përputhje me interesat kombëtare të shqiptarëve. Nëse nderet simbolike me pasoja të thella politike nuk do t’u ishin bërë as vendeve të tjera – si, fjala bie, varreza e ushtarëve grekë, të vrarë në një luftë që s’ishte e jona, – dhe nëse vendime të tilla do të parapriheshin nga debate të hapura publike, ndoshta ky memorial nuk do të vendosej kurrë.

Por kundërshimi për memorialin përgjithësisht nuk ka ardhur nga këndi i interesit kombëtar, më shumë sesa ka ardhur nga patologjia e një armiqësie ndaj një grupi etnik, me të cilët nuk kemi luftuar kurrë dhe me të cilët në fillim të shekullit të njëzetë u gjendëm në të njëjtin front: atë të luftës ndaj perandorisë osmane për krijimin e shteteve kombëtare shqiptare dhe turke.

Është kjo përbashkësi që i shtynte themeluesit e shtetit shqiptar dhe ata të shtetit turk që të ngrinin marrëdhënie vëllazërie, që duhet thënë se frymëzohen edhe nga një admirim që turqit ndiejnë për shqiptarët e pashtruar. Vetë emri me të cilin na kanë pagëzuar, arnaut (njeri që ka e ka për turp të zbrapset), e materializon kulturalisht këtë xhelozi.

Turqia moderne, pavarësisht drejtuesve të saj, është edhe njëra ndër mbështetëset më të vendosura të Shqipërisë, Kosovës dhe integrimit të tyre në familjen euro-atlantike. Fërkimet dhe afrimet e përkohshme, që ndodhin ndërmjet saj dhe SHBA-ve e BE-së, nuk janë çështje e jona dhe, pikërisht për këtë, këtyre luhatjeve nuk u duhet ngritur asnjë memorial.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>