Kancelarja gjermane Anxhela Merkel ka ndërmarrë masa të reja për largimin e azilantëve pas sulmit terrorist të Berlinit vitin e kaluar, shkruan media The Wall Street Journal.
Më 9 shkurt kancelarja Merkel miratoi një marrëveshje me 16 shtete federale të Gjermanisë për largimin e azilantëve. Vendet do të jenë vetë përgjegjëse për zbatimin e masave për dëbimin e tyre. Këto masa do të përfshihen brenda një ligji të ri.
Marrëveshja u miratua pas propozimit të një plani me 16 pika nga qeveria federale në Berlin. Këtu përfshihet organizimi i deportimit sipas ligjit, krijimi i qendrës kombëtare për riatdhesim, ndihmë ekonomike për ato që largohen me dëshirë, dhe arrestimi për një kohët të papërcaktuar i atyre që konsiderohen rrezik i mundshëm për sigurinë kombëtare.
Marëveshja u arrit pas disa muajsh diskutime me shtetet e ngarkuara me përgjegjësinë për largimin e emigrantëve dhe qeverisë federale e mërzitur me progresin e pakët në riatdhesimin e tyre.
Praktikat do të ndryshojnë nga shteti në shtet. Sepse, shteti i Bavarisë ka larguar me forcë emigrantët, ndërsa disa shtete të majta nuk i largojnë dhe nuk marrin hapa të forta kundër tyre.
Mesa duket vendimi i Kancelares Merkel, vetëm tetë muaj përpara zgjedhjeve, vjen pas trysnisë së qytetarëve për emigracionin, rritjen e krimit dhe kërcënimin nga sulmet terroriste.
Gjermania ka ndërmarrë edhe më parë masa për largimin e emigrantëve. Sipas, Ministrisë së Brendshme gjermane në vitin 2016 janë larguar 23, 375 mijë njerëz dhe 20, 888 në vitin 2015. Por këto janë numra shumë të ulët në krahasim me 200 mijë emigrantët të cilët do të largohen tani nga vendi.
Shumë azilantë kanë shpëtuar nga dëbimi sepse vendi i tyre nuk i pranon. Disa të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kanë fshehur identitetin ose thjesht janë zhdukur.
Disa nga emigrantët të cilët nuk kanë marrë statusin e emigrantit janë akuzuar për mbështetje ndaj terrorizmit dhe kanë kryer ose janë përfshirë në sulmet e muajve të fundit. Vëtëm ditën e enjte, dy azilantë nga Algjeria dhe Nigeria, të cilëve iu refuzua statusi i emigrantit, dyshohen se po planifikonin një sulm terrorist në veriperëndim të Gjermanisë.