(Pjesën e parë të kësaj eseje mund ta lexoni këtu.)
II.
“Turn that plane around”
Ky ishte urdhri që gjyqtari Emmet Sullivan, i gjykatës së rrethit në Washington, u dha më 9 gusht 2018 autoriteteve amerikane, për një avion në të cilin po udhëtonin drejt El Salvadorit, Carmen dhe e bija e saj, ndërkohë që gjyqtari Sullivan po shqyrtonte ankimin e tyre për azil në SHBA.
Gjyqtari Sullivan u shpreh:
“Dikush … kërkon drejtësi para një gjykate të Shteteve të Bashkuara dhe dëbohet jashtë ndërkohë që avokatët e saj po pretendojnë dhënien e drejtësisë për të? Kjo është mizore. Kthejeni mbrapsht atë avion dhe sillini ata njerëz përsëri në Shtetet e Bashkuara.”
Sullivan ishte aq i prerë me urdhrin e tij të ndërmjetëm, sa ai u shpreh se Jeff Sessions, Ministri i Drejtësisë në SHBA në atë kohë, dhe çdo zyrtar tjetër që mund të pengonte kthimin e Carmen dhe të bijës në SHBA do të akuzohej prej tij për contempt to court – cenim i autoritetit të gjykatës.
Në fakt avioni u ul në San Salvador, por pas urdhrit të gjyqtarit Sullivan, as Carmen dhe as e bija nuk zbritën prej tij. Me të njëjtin avion ato u kthyen ne SHBA në pritje të vendimit të gjyqtarit Sullivan.
Mesazhi i këtij shembulli nuk është e drejta e Carmen dhe së bijës për të migruar në SH.B.A. por autoriteti i një gjyqtari amerikan dhe kuptimi i vendimit që ai do të merrte në lidhje me çështjen e tyre. Ndryshe e drejta për t’u ankuar dhe as funksioni i gjyqtarit dhe i vetë sistemit amerikan të drejtësisë në vetvete nuk do kishte asnjë kuptim.
Ç’lidhje ka ky shembull që solla me situatën shqiptare? Më 5 tetor 2012, në kuadrin e presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të KE isha ftuar të mbaja një fjalë në një konferencë të organizuar në Tiranë.
Ndër të tjera, solla si shembull vendimin e Gjykatës së Strasburgut në çështjen Rrapo ku Republika e Shqipërisë u dënua vetëm sepse kishte refuzuar t’i bindej një urdhri të ndërmjetëm të Gjykatës së Strasburgut, që të mos e ekstradonte Almir Rrapon drejt SHBA derisa Gjykata të shprehej mbi themelin e çështjes.
Gjatë referimit, përveçse përmenda faktin se vendimet gjyqësore të ndërmjetme janë të detyrueshme, theksova se neni 320 i Kodit Penal Shqiptar, i cili penalizon pengimin për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës mund dhe duhej të interpretohej fare kollaj në mënyrë të tillë që të siguronte efektivitetin edhe të vendimeve të ndërmjetme ndërkombëtare.
Ndryshe edhe vendimi përfundimtar mund të bëhej i paekzekutueshëm. Vetëm kështu mund të sigurohej autoriteti i pushtetit dhe procesit gjyqësor dhe logjika e funksionit të gjykatave.
Në atë kohë mendoja ende se problemi qëndronte tek paqartësia dhe tek vlera e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare në sistemin ligjor shqiptar.
Çështja që më bëri ta rishikoj në themel këtë mendim u vendos në 2018. Vendimi Sharxhi dhe të tjerë k. Shqipërisë, i 11 janarit 2018, shpalosi tërësisht problemin më endemik të sistemit kushtetues në Shqipëri.
Në atë çështje një gjykatë administrative e shkallës së parë vendosi që autoritetet shqiptare mos merrnin asnjë masë derisa të vendosej në themel nëse ishte e ligjshme apo jo një ndërtesa që synohej të prishej (nenet 207 e vijues të Kodit Procedurës Civile).
Pa kaluar një muaj nga ky vendim i gjykatës administrative ndërtesa u prish, në kundërshtim të hapur me urdhrin e gjykatës.
Themeli i vendimit, pra nëse ndërtesa ishte e ligjshme apo e paligjshme, nuk kishte më asnjë kuptim.
Megjithatë saga e absurdit juridik vazhdoi. Dy gjykata administrative, edhe e shkallës së parë edhe e apelit vendosën, si pasojë, mbi masën e kompensimit ndaj ankuesve për të gjitha dëmet që vinin nga prishja e ndërtesës – në kundërshtim me urdhrin gjyqësor.
Përsëri ekzekutivi do ndërhynte. Jo vetëm që nuk do respektonte vendimet e gjykatave mbi masën e dëmshpërblimit, por i prishte vendimet gjyqësore në themel dhe vendoste një masë tjetër!!!
Ndërkohë që ankuesit ankoheshin në gjykata, pala kundërshtare, Qeveria, ankohej…tek Qeveria. Dhe kjo e fundit vendoste.
Në këtë vend Gjykata e Lartë nuk është ajo që ishte, atëherë kur ishte, e që drejtohej nga Zaganjori.
Në këtë vend Gjykata e Lartë është Ajo, që sot drejtohet nga Rama. Po vendosi kjo e fundit, vendimet e kësaj janë në fuqi dhe prishin çdo vendim tjetër. Nuk ka gjykatë që guxon t’i dalë kundra?! Dhe si?! Roja është i fuqishëm, madje i plotfuqishëm.
Në vendimin R(Unison) k. Lordit Kancelar, (2017) UKSC 51, Gjykata Supreme Britanike, me anë të penës brilante të Kryetarit të saj të sapo zgjedhur, Lord Reed, shprehet:
“Në zemër të konceptit të shtetit të së drejtës është ideja që shoqëria qeveriset nga ligji. Parlamenti ekziston kryesisht për të bërë ligje për shoqërinë në këtë vend.
Gjykatat ekzistojnë për të siguruar që ligjet e bëra nga Parlamenti,…, të zbatohen dhe ekzekutohen.
Ky rol përfshin garantimin që dega ekzekutive e qeverisë kryen funksionet e saj në përputhje me ligjin. Në mënyrë që gjykatat ta kryejnë këtë rol, njerëzit në parim duhet të kenë mos pengohen të kenë akses në to.
Pa një akses të tillë, ligjet bëhen një letër e vdekur, puna e bërë nga Parlamenti bëhet e kotë, dhe zgjedhja demokratike e deputetëve mund të bëhet një farsë e pakuptimtë.”
Duke mos respektuar vendimin e ndërmjetëm të një gjykate në çështjen Sharxhi ekzekutivi shqiptar nuk prishi vetëm ndërtesën përkatëse.
Mbi të gjitha ai rrënoi vetë qëllimin e procesit gjyqësor në lidhje me ligjshmërinë apo jo të saj, që është vetë arsyeja e ekzistencës së gjykatës. Nuk kishte më asnjë kuptim as procesi, as gjyqtari, as palët, as avokati, as vetingu dhe, siç thotë Lord Reed në vendimin Unisson të sapo përmendur, nuk kanë më kuptim as ligjet. Dhe ju flisni për reformë?!
Natyrisht që në Strasburg, në Dhomë dhe pastaj Paneli i Dhomës së Madhe vendosën njëzëri se ndërhyrja në çështjen Sharxhi ishte shkelje e procesit të rregullt – flagrante madje.
Nga afro 30 mijë çështje që kam vendosur në Gjykatën e Strasburgut, dhe nga ca mijëra të tjera që kam lexuar, vetëm në një tjetër ma ka zënë syri një ndërhyrje thuajse kaq flagrante të ekzekutivit ndaj gjyqësorit – në Bursa Barosu dhe të tjerë k. Turqisë .
Ndërkohë që në maj 2017 qeveria shqiptare përpiqej të justifikonte në Strasburg mosrespektimin e një vendimi gjyqësor të ndërmjetëm, në shtator 2017 Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare e konsideronte një shkelje të tillë si shkelje të parimeve të përgjithshme të së drejtës të kombeve të qytetëruara (shih 3 RES FINAL FR, 8.9.2017).
Meursault-ë – a doni ta pranoni se sa i thellë ku është problemi me sistemin ligjor në këtë vend apo jo? Se nuk e besoj dot se nuk arrini ta kuptoni.
Çfarë reforme duhet bërë për këtë situatë? Në këtë vend Roja vendos se kur dhe si individët mund të drejtohen gjykatave, dhe jua bën të qartë, edhe me deklarata publike, atyre në çështjen Sharxhi, dhe të tjerëve tek Astiri e gjetiu, të mos lodhen të shkojnë në gjykata.
Është vetëm ai që vendos nëse ju takon kompensim apo jo, atyre dhe të tjerëve që kanë fituar në gjykata prej afro 30 vjetësh.
Është Roja që vendos se ç’është apo s’është e drejtë në këtë vend. Çështja Sharxhi pret ende ekzekutimin, me pasojat juridike dhe institucionale që ka. Qeveria Shqiptare dhe sidomos Ministrja e Drejtësisë e di mirë për çfarë po flas .
Prokurori i ri i Përgjithshëm apo SPAK duhet të bëjnë fare PAK – të zbatojnë ligjin shqiptar në fuqi. Shkeljet i kanë të konfirmuara nga 12 gjyqtarë të Strasburgut.
Me këtë vendim kanë në dorë një rast ku mund të tregojnë, por edhe detyrimin institucional që të konfirmojnë, se sa u intereson drejtësia, pavarësia e gjyqësorit dhe, si pasojë, reforma.
Të shohim a do të kenë qartësinë dhe guximin profesional që pati një gjyqtar “i thjeshtë” rrethi në Washingon DC që ishte gati të niste procedurat për cenim të funksionit të gjykatës edhe ndaj ministrit të drejtësisë në SH.B.A.
Këto janë themelet e reformës sipas shembullit amerikan, evropian, anglez, francez, italian, etj, dhe jo filmat vizatimorë që shihen në televizor për reformën.
Megjithatë “të huajt” nuk folën në lidhje me këto hedhje në erë të themeleve të çdo arsyeje të ekzistencës të funksionimit të gjyqësorit. Ndërkohë që ekzekutivi dhe ligjvënësi de(re)formonin dhe de(re)formojnë dhjetëra vendime gjyqësore përfundimtare, dhe bën pa kuptim që në nisje dhjetëra ankesa gjyqësore, në Shqipëri flitej dhe vazhdohet të flitet për reformë në drejtësi!!!
Atë që e konsideroni si problematike tani në lidhje me mungesën e gjykatave apo me ligjin për mediat elektronike, aksesin në gjykatë, e keni qëndrim konsekuent në lidhje me shumë të drejta që po jua kalojnë nën rrogoz duke i mbuluar me nga një reformë.
Prandaj mos u habisni shumë. Është një çështje koncepti themelor mbi funksionimin e shtetit të së drejtës në lojë, dhe jo e këtij apo e atij ligji.
Një përfundim…i ndërmjetëm
Alexis de Tocqueville, në atë që mbetet edhe prej afro 200 vjetësh një nga analizat më brilante të sistemit politik amerikan, “Mbi Demokracinë në Amerikë”, thotë se “është e rrallë që ndonjë çështje politike në Shtetet e Bashkuara të mos zgjidhet, herët ose vonë, si një çështje gjyqësore”.
Kurse në Shqipëri, është e pamundur që një çështje gjyqësore, kur i intereson politikës, të mos zgjidhet apo të mos ndikohet nga kjo e fundit. Ka nevojë për të tjerë shembuj?
Po ju jap dy të fundit, të shkruar dhe të provuar. Në nivel kombëtar ndryshimet e neneve 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit me vendimin 85/2019 që i japin të drejtë Kuvendit – organ politik – të vendosë se çfarë përbën provë në rast akuzash ndaj një deputeti!!!
Në nivel ndërkombëtar, përveç vendimeve të Strasburgut që përmenda mund të kujtoj edhe disa ‘trena’ me Zv. Kryeministër, Ministra dhe ca denarë të tjerë që përpiqeshin të influenconin Kryetarin dhe gjyqtarë të Gjykatës së Strasburgut për zgjidhje në favor të Qeverisë në çështjet e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
Ndërhyrje si kjo, në dijeninë time, ka pasur vetëm një rast tjetër në historinë e Gjykatës së Strasburgut që, natyrisht, i përket një vendi tjetër ish-komunist.
Ky është mentaliteti që ushqen mënyrën e (mos)funksionimit dhe të (mos)ekzistencës të gjyqësorit në Shqipëri.
Problemi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri nuk është vetëm korruptiv apo cilësor. Madje unë mendoj se problemi nuk është as vetëm funksional. Problemi themelor i gjyqësorit tonë është ekzistencial.
Mospasja e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë gjatë dy vjetëve të fundit nuk është asnjë tjetër vetëm se konkretizimi dhe materializimi më i prekshëm i një fenomeni konceptual që e ka shoqëruar gjyqësorin tonë në vite.
Shembujt e lartpërmendur, dhe sa të doni të tjerë, tregojnë hapur se e drejta në këtë vend nuk vendoset nga gjykatat, të mira apo të këqija qofshin ato dhe gjyqtarët dhe prokurorët që i përbëjnë.
Gjyqësori jonë ka pasur dhe ka një marrëdhënie vasaliteti, herë më shumë e herë më pak, me pushtetin politik dhe këtë, herë e ka bërë në mënyrë të vullnetshme, herë e ka bërë për mungesë fuqie sistemike.
Disa gjyqtarëve iu intereson ky vasalitet, sepse nxirrnin frytet e veta, korruptive apo karrieriste, për aq sa nuk preknin interesat e suzerenit.
Ca gjyqtarëve të tjerë iu mungon guximi, qartësia apo aftësia e duhur profesionale si dhe instrumentet dhe mekanizmat, për tu vetë-analizuar dhe vetë-korrigjuar.
Kurse një kategorie të tretë, gjyqtarëve që guxonin, kur jepnin shenja për shkëputje nga ky vasalitet, Roja u tregonte dhe tregon reforma dhe elemente thellësisht politikë ndërhyrjeje, ose vendimet e tyre i kason me ligj.
Këto ndërhyrje janë konfirmim i kësaj marrëdhënie, të cilës gjyqësori edhe një herë, me dashje, me detyrim, për mungesë karakteri, për meskinitet apo karrierë individuale, apo për mospasje organizimi ose mekanizmash profesionalë të kontrollit, iu nënshtrua edhe një herë .
Ndaj shumë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve tani po gëlltisin lugë nga ajo çorba që e kanë përzier edhe vetë ndër vite. Kjo marrëdhënie është burimi i çdo papërgjegjshmërie në gjyqësor.
Korrupsioni financiar është pasojë dhe ana tjetër e medaljes e korrupsionit ose vasalitetit politik. Këtu drejtësia vendoset nga qeveria, marrë kjo e fundit në kuptimin e ngushtë të termit.
Këtu madje edhe drejtësia ndaj gjyqtarëve vendoset nga qeveria. Problemi i drejtësisë në këtë vend nuk është në nivel mikro, ky apo ai gjyqtar apo prokuror, këtu problemi është në nivel makro – ky apo ai sistem.
Problemi themelor në Shqipëri nuk është qeveria e gjyqtarëve, por gjyqtarët e qeverisë. Një hap i ndan këta të fundit që të bëhen pastaj gjyqtarë të lekut.
Pavarësia është një koncept që kur gjyqtari e ka, e mbron dhe e përdor ndaj cilitdo pushtet të tretë, politik, financiar apo tjetër, që kërkon të ndërhyjë në përmbushjen e funksionit gjyqësor.
Ndaj përpara se të merreni vetëm me gjyqtarët dhe prokurorët merruni me problemin themelor që ka gjyqësori dhe i gjithë sistemi ligjor shqiptar.
Merruni me burimin e papërgjegjshmërisë dhe të varësisë së tyre nga pushteti – politik ose financiar, i dyti rrjedh nga i pari. Merruni me Rojën, si koncept, që kontrollon gjithë parabolën Kafkiane të Ligjit në Shqipëri.
Është ai që kontrollon çdo portë të Ligjit. Është ai që kontrollon nëse, kur dhe si mund të ankohemi përpara gjykatave.
Me anë të projekt-ligjit mbi betimin e gjyqtarëve kushtetues që u miratua këtë javë në Kuvend, ai po kontrollon edhe funksionin e gjykimit kushtetues – zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi interpretimin e Kushtetutës.
Është ai që kontrollon gjithashtu, tek porta e daljes nga Ligji, nëse dhe si vendimet e gjykatave mund të ekzekutohen apo jo, përfshirë edhe vendimet e Strasburgut, si edhe ato të Hagës.
Mos bëni Meursault-in e gjyqësorit! Po hiqni dhe po lini fotografi gjyqtarësh dhe prokurorësh në muret e një kështjelle prej rëre. Kur të kuptoni dhe të zgjidhni problemin e themeleve atëherë merruni me detajet. Atëherë detajet duken edhe më mirë.
Sepse kriteri themelor për të ngritur sistemin e drejtësisë është ai i profesionistëve të pavarur që, së pari kanë përgjegjësinë, qartësinë dhe pavarësinë që të mund t’i imponohen edhe vetë Rojës.
Ndryshe ata do korruptohen sa nga Roja pastaj edhe nga paraja dhe kjo reformë nuk do jetë asgjë më shumë sesa një ‘reformatio in peius’.
Të huaj, ata që nuk i pëlqejnë këto që shkruaj do vijnë t’u thonë se unë jam kundër reformës. Unë jam për drejtësinë.
Nëse reforma juaj është në shërbim të drejtësisë atëherë unë jam padyshim për të, por nëse ajo shuan letrën e parë të alfabetit të sistemit drejtësisë – aksesin në gjykata, dhe nuk garanton letrën e fundit të qëllimit të funksionimit të tyre – ekzekutimin e vendimeve, atëherë ajo rrënon në themel vetë arsyen e ekzistencës së gjyqësorit.
Nuk është kjo drejtësia që jepet në Evropë dhe në Amerikën veriore. Por askush nuk po flet për këtë – as reformatorët.
Përsa i përket reformës unë jam për një më të fortë se kjo që po bëhet, por edhe më të drejtë. Unë jam që gjyqtarët dhe prokurorët që kanë shitur drejtësinë jo thjesht të largohen nga puna.
Ky është thjesht dënim plotësues sipas Kodit Penal, madje këtë zgjidhje e konsideroj si amnistim të të korruptuarve.
Largimi nga puna, i vetëm, është një ndëshkim që populli ia jep me votë politikanëve të paaftë ose se ju ka ardhur koha të ikin, ose që shefat u japin funksionarëve publikë për shkelje në detyrë.
Të korruptuarve, drejtësia ju jep dënime të tjera, me gjykata të krijuara me ligj, siç kërkon neni 6 § 1 KEDNJ .
Një reformë e tillë do ta bënte gjyqësorin të pavarur, të përgjegjshëm dhe të pakorruptuar në të njëjtën kohë.
Për reformë në gjyqësor kishte dhe ka shumë nevojë. Madje është domosdoshmëri. Por ama duhet marrë seriozisht kjo reformë dhe të trajtojë themelet, jo të çojë në rrënimin total të funksionit gjyqësor në të gjithë vendin.
Duhet marrë së pari seriozisht nocioni, funksioni dhe institucioni i drejtësisë, që të merret seriozisht reforma.
Kam pasur rast të shoh në shumë raste, edhe në vende të zhvilluara, sisteme gjyqësore dhe gjykata, përfshirë edhe Gjykatën e Strasburgut dhe të Luksemburgut, që kishin dhe kanë nevojë për reforma, por reforma gjyqësore që fshijnë gjykata, është realisht hera e parë që shoh!!!
Ndaj kjo situatë më kujton atë shprehjen e famshme që Lewis Carroll vë në gojën e Lizës në Botën e Çudirave “…Kam parë shpesh mace që nuk zgërdhihen,… por zgërdheshje pa një mace! Është gjëja më e çuditshme që kam parë ndonjëherë në jetë”.
Që ne jemi vendi i çudirave, këtë e kanë thënë të tjerë përpara meje. Mesa duket reforma në drejtësi po ofron një shembull modern të këtij konstatimi të kahershëm!