Mësimi gjatë pandemisë, ISHP: Udhëzimi i ministrisë të zbatohet nga çdo shkollë

Mësimi gjatë pandemisë, ISHP: Udhëzimi i ministrisë të zbatohet nga çdo shkollë

Të gjitha shkollat, si ato publike dhe ato private, do të zbatojnë të njëjtin udhëzim për zhvillimin e mësimit gjatë pandemisë së Covid-19.

Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi deklaroi, në një intervistë për Report Tv, se në hartimin e udhëzimit janë marrë parasysh rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit:

“Për shkollat do të kërkohet që të ruhet distanca dhe më pas edhe gjatë orëve të mësimit do të respektohet, 1.5 m nga njëri- tjetri.

Rekomandohet përdorimi i maskës edhe për ciklin e ulët, ndryshe nga cikli i lartë apo parauniveristar që do e kenë përdorimin e maskës gjatë gjithë mësimit. 

Maska duhen mbajtur gjatë gjithë kohësh kur fëmijët të jenë në furgonin e shkollës dhe ka një rregullore dhe për transportin dhe kjo duhet të zbatohet.”

Lidhur me fëmijët me sëmundje kronike, Dervishi tha se për to do të bëhet një vlerësim më i specifikuar nga mjekët.

Siç Exit News ka shkruar më parë, përmes një udhëzimi, ministria ka treguar se si do të bëhet hyrja e nxënësve në shkolla dhe si do të zhvillohet mësimi.

Por ajo që bie në sy është fakti që ministria nuk ka sqaruar masat që do të marrë për të bërë të realizueshëm këtë udhëzim.

Kështu ministria rekomandon mbajtjen e maskave nga nxënësit dhe stafi i shkollës, si dhe vendosjen e dezinfektantëve në ambiente të ndryshme të shkollës, por nuk përcakton se kush do t’i mundësojë këto mjete.

Pra, është ende e paqartë nëse nxënësit duhet të pajisen me maska dhe dezinfektantë nga familjet e tyre, apo nëse këto do të mundësohen nga shkolla.

Po ashtu, është ende e paqartë se ku do ta zhvillojnë mësimin një pjesë e nxënësve, në ato klasa ku nuk respektohet dot mbajta e distancave, dhe se si do të mbulohet me stafin e nevojshëm të mësuesve këto klasa.

Exit News ka biseduar me mësues në shkollat e mesme të Tiranës, të cilët kanë pohuar se nuk kanë marrë asnjë njoftim për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi. Ato deklaruan se në pjesën më të madhe të shkollave të Tiranës, klasat kanë 35-50 nxënës dhe se është e nevojshme ndarja e klasave të paktën në dy grupe, për tu ruajtur distancimi social.

Edhe në rast të ndarjes së nxënësve të një klase në disa grupe, është e pothuaj e pamundur që shkolla të ketë aq shumë klasa bosh sa të vendosen të gjithë grupet e nxënësve.

Për më tepër, shtimi i grupeve të nxënësve sjell dhe nevojën për shtimin e mësuesve dhe stafeve mbështetëse.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>