Presidenti Ilir Meta nuk ju përgjigj interesimit të gazetarëve për akuzat e Fatos Nanos ndaj tij.
“Nuk kam koment për zero ngjarje. Nuk kam asnjë koment dhe një herë tjetër për zero ngjarje për zero akuza”, u shpreh Meta për gazetarët, të shtunën, jashtë godinës së Presidencës.
Ish-Kryeministri Fatos Nano, në një intervistë për emisionin Opinion e quajti Metën si një “nga përfituesit e mëdhenj të mbështetjes” së tij politike në PS dhe qeveri:
“Është një nga përfituesit më të mëdhenj, që nga Freshi, nga qeveria e parë, nga komiteti i partisë së Tiranës, i dhashë degën e Tiranës të drejtojë, kur të gjithë thonin është rivali i ri i Nanos, deri tek qeveria e fundi”.
Nano u shpreh se tek Meta sheh “7 mëkateve kapitale”:
“Nuk ka politikan, tek i cili unë shoh pjesën më të madhe të mëkateve, të 7 mëkateve kapitale, është Presidenti i sotëm. Të shtatë mëkateve të biblës, ligësia, grykësia… E them se e shoh përditë, u jep prova të gjithëve përditë”.
Ndërsa për largimin e Metës nga PS dhe krijimin e një partie të re në zgjedhjet e 2005, Nano tha se:
“Meta ka pasur gjithmonë planin B në mendje. Ka qenë inaktiv, sikur nuk ekzistone në qeverinë e 2002-2005. Iku në 2003, nuk merrte pjesë në diskutime, ka folur vetëm njëherë kur blemë ambasadën tonë në Athinë.
Plani B ishte ai paralajmërova që në fillim Ilirin, “Ti e ke zakon që të lë në mes të rrugës dhe të fut stërkembëshat”. Jo e kam seriozisht këtë herë më tha. Ky ka qenë plani B, që të ndërpriste punët e qeverisë në mes”.