Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta përkujtuan sot masakrën e kryer nga forcat ushtarake serbe në fshatin jugor të Reçakut, 32 kilometra në jug të Prishtinës.
Në ceremoninë përkujtimore Presidenti Thaçi tha:
“Masakra e Reçakut është krim kundër njerëzimit, që ka kryer drejtpërdrejt shteti i Serbisë, është gjenocid i Serbisë kundër popullit të Kosovës.
Drejtësia ndërkombëtare ka heshtur për këto masakra. Rrugëtimi jonë është ai euroatlantik, do punojmë fuqishëm për të ardhmen evropiane, por duke kërkuar drejtësinë që shteti i Serbisë duhet të japë llogari herët ose vonë për gjenocidin që ka kryer në Kosovë”.
Gjithashtu edhe Presidenti Meta kërkoi:
“Të çohet deri në fund drejtësia për autorët dhe organizatorët e këtij krim kundër njerëzimit.
Duhet të qëndrojmë për vlerat europiane për të cilat po përpiqemi. Vetëm një e ardhme e përbashkët europiane mund të ndalojë ripërsëritjen e këtyre ngjarjeve”.
Njëzet vjet më parë, forcat serbe vranë 45 shqiptarë etnikë në fshatin Reçak. Pas kësaj masakre, forcat e NATO-s vendosën nisjen e bombardimeve kundër Serbisë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
Gjatë luftës së Kosovës 1998-1999 u vranë rreth 10,000 shqiptarë. Më 24 mars 1999 forcat e NATO-s nisën bombardimet, të cilat zgjatën 78 ditë dhe i dhanë fund sundimit serb në Kosovë. Në 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë.