
Presidenti Meta dhe kreu i PD-së Lulzim Basha kanë përkujtuar të hënën, në përvjetorin e tij të vdekjes, poetin disident Havzi Nela.
Përmes një postimi në Facebook, presidenti Meta shkruan se vargjet e poezive të Nelës sot gjëmojnë me një forcë të jashtëzakonshme për të realizuar ëndrrën e çdo shqiptari për një Shqipëri si gjithë Europa.
Edhe Basha, në Twitter, postoi një poezi të Nelës ku flet për dashurinë dhe luftën e tij për liri dhe në qelitë e burgut.
Kreu i PD-së e quajti Havzi Nelën ‘poetin e pavdeksisë’.
Havzi Nela njihet si një prej poetëve dizidentë, të cilin diktatura komuniste e internoi dhe më pas e vrau.
Në 22 maj të 1967-ës ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalimin në Kosovë, ndërsa gruaja e tij u dënua me 10 vite burg.
Në tetor 1987, ai u arrestua dhe internua në fshatin Arrën, ndërsa gjykata vendosi që ta varte Nelën, me motivin ‘tradhëti e lartë’ ndaj vendit.
Dënimi me vdekje u miratua nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të drejtuar nga Ramiz Alia.
Më 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit, ai u ekzekutua me varje në mes të Kukësit, ku dhe lindi.