Presidenti Ilir Meta i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë të ndërtojë një strategji të re për pandeminë.
Nevojitet një strategji e re, gjithëpërfshirëse dhe e ndërtuar mbi këshillat e specialistëve më të mirë epidemiologë, virologë e imunologë brenda dhe jashtë vendit, tha Meta të mërkurën në Facebook.
Ai tha se Ministria duhet të reflektojë dhe “të kthejë fokusin vetëm nga qytetarët”.
Vetëm sot janë regjistruar 18 viktima tha Meta dhe shtoi se “sipas raportimeve nga terreni çdo 13 minuta një autoambulancë mbërrin në Spitalin Infektiv COVID-1”.
Ai akuzoi qeverinë se nuk ka asnjë plan konkret për vaksinimin e popullatës dhe asnjë kusht të përmirësuar në spitale. Meta tha se nuk ka “asnjë masë efektive për parandalimin e përhapjes së pandemisë në popullatë”.
Shpenzimet publike për vaksinimin, trajtimin, testimin dhe gjurmimin, janë shumë të rëndësishme në këto momente të pandemisë, tha presidenti.
“Për këtë arsye, politika fiskale duhet të jetë mbështetëse dhe fleksible derisa të sigurohet një dalje e sigurt dhe e qëndrueshme nga kriza”, tha ai.
Presidenti i bëri thirrje edhe qytetarëve që të jenë të kujdesshëm të respektojnë masat.