Presidenti Ilir Meta i ka kthyer përgjigje kërkesave të Komisionit Hertimor për shkarkimin e tij. Në një letër drejtuar Kuvendit, Meta i quan të pabazuar në Kushtetutë dy kërkesat e Komisionit:
Prania e presidentit në seancën dëgjimore të Komisionit të parashikuar më 18 maj.
Informacion për titujt, dekoratat dhe aktivitet e kryera nga presidenti gjatë muajit zgjedhor, 25 mars deri në 25 prill.
Ai sqaroi se aktiviteti i presidentit, tituj dhe dekoratat janë të pasqyruara në faqen zyrtare të Presidencës. Gjithashtu, Meta la të nënkuptohet se nuk do të shkojë në Komisionin Hetimor.
Meta u shpreh se komisioni hetimor nuk mund të zhvillohet në “periudhë tranzitore të përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual, dhe fillimit të ushtrimit të detyrës së Kuvendit të ri”.
Ai e quajti procesin fiktiv e të paracaktuar, në shkelje të “Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së Kuvendit”.
Meta theskoi sërisht se komisioni ka për qëllim largimin e vëmendjes nga krimet zgjedhore dhe intimidimin e institucioneve që do të zbardhin krimin e 25 prillit.
Komisioni Hetimor u ngrit me kërkesë të 49 deputetëve socialistë. Komisioni ka objekt hetimin e shkeljes së detyrimit të paanësisë politike nga Presidenti gjate periudhës zgjedhore.