Në 80 vitet e ardhshme Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) parashikon se popullsia e Shqipërisë rrezikon të bjerë në rreth 512 mijë banorë. Gazeta Monitor raportoi se ky është një parashikim i rishikuar, për shkak të emigrimit masiv dhe rënies së lindjeve.
Në reagim të këtij lajmi, Presidenti Ilir Meta komentoi në Facebook se ky është rrezik serioz për vendin dhe se zgjidhja e vetme për të ndaluar emigrimin është rikthimi i shpresës.
“Kambanat e alarmit po bien! Stop shpopullimit të Shqipërisë! Ky është “rreziku i vërtetë rus” që i kanoset vendit! Kjo është sfida më madhore që kërkon urgjent dialog, zgjidhje, dhe kthimin e shpresës për të gjithë shqiptarët! 9 kushtet e Bundestagut janë harta e rrugës së Shqipërisë europiane! Koha është tani! Nuk mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë”.
Sipas Institutit të Statistikave Shqipëria ka rreth 2,87 milionë banorë. Në parashikimin më të mirë OKB thotë se në vitin 2100 popullsia do të jetë 1,9 milionë me një rënie prej rreth 1 milionë banorësh.
Në parashikimin më të keq popullësia do të mbetet në rreth 512 mijë.
Këto parashikime janë rishikime të parashikimeve të vitit 2018, kur OKB analizonte se në rastin më të mirë në vitin 2100 Shqipëria do të kishte 2,8 milionë banorë dhe në rastin më të keq 860 mijë.