Meta kërcënon mazhorancën me shpërndarje të parlamentit

Nga Exit News
Meta kërcënon mazhorancën me shpërndarje të parlamentit

Presidenti Ilir Meta paralajmëroi sot shpërndarjen e Kuvendit nëse Kryeministri Rama nuk tërhiqet nga përpjekja për të kapur të gjitha institucionet kushtetuese.

Gjatë tubimit që organizoi sot në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Meta firmosi dekretin kundër ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese pa ceremoni përpara Presidentit. Pasi ai e firmosi tha:

“Këtu [në tavolinën e vendosur në shesh] ka një kërkesë tjetër, [shqiptarët] nuk kënaqen me kaq, [shqiptarët] duan që sot shpërndarjen e parlamentit puçist [brohorima nga të pranishmit], më duhet të firmos këtë dekret [dekretin kundër mënyrës së betimit të gjyqtarëve] dhe do të kthehem përsëri këtu për atë dekretin tjetër që e brohoritët me shumë se ky”.

Pas rreth 40 minutsh fjalim, ku Meta e konsideroi qeverinë të blerë nga oligarkët dhe të vendosur për të kapur të gjitha institucionet, ai paralajmëroi:

“Nëse qeveria nuk e merr seriozisht këtë dekret [për kthimin e ligjit për betimin e gjyqtarëve] unë ju jap fjalën, se pas dates 15 mars, kur të përfundojë reforma zgjedhore […] populli kuqezi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit, unë Ilir Meta, betohem se atë dekret [dekretin për shpërndarjen e parlamentit] nuk do ta firmos këtu, por në mes të Parlamentit, atje në mes të krimit.”

Meta këmbënguli se “kjo pranverë kuqezi nuk ndalet deri në rivendosjen e sovranitetit të popullit” duke nënkuptuar se protesta të ngjashme mund të zhvillohen sërish. Më pas ai u bëri thirrje qytetarëve që “me qetësi dhe drejtësi”:

“[…] mos i jepni alibi puçistëve, mos i hidhni asnjë mimozë institucioneve, sepse mimozat dhurohen, dhurojani policëve tanë, nga sot nis marrshimi i popullit kuqezi për të rivendosur sovranitetin e tij, nga ky bulevard në gjithë shqipërinë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>