
Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje qeverisë të rrisë luftën kundër trafikut dhe kultivimit të drogës. Reagimi i tij erdhi pas vrasjes së oficerit të krimeve në Kune Vain të Lezhës, gjatë një operacioni të kontrollit të prodhimit të kanabisit.
“Nxis organet ligjzbatuese, në veçanti Prokurorinë për hetimin e rrethanave dhe intensifikimin e përpjekjeve për kapjen sa më parë të autorëve të këtij akti kriminal, për t’i nxjerrë ata para drejtësisë dhe dhënien e një ndëshkimi të ashpër ligjor.
Lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe kanabizimit të Shqipërisë, që ka dëmtuar seriozisht vitet e fundit imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të jetë një prioritet absolut dhe të mbështetet nga të gjithë!”- shkroi Meta.
Polici Saimir Hoxha, 44 vjeç u vra të martën në mëngjes nga trafikantët e kanabisit në Lezhë. Autori i vrasjes është një 21-vjeçar, i dënuar më parë për trafik kanabisi.