Meta kritikon ashpër reformën në drejtësi dhe misionin EURALIUS

Meta kritikon ashpër reformën në drejtësi dhe misionin EURALIUS

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se reforma në drejtësi po dështon dhe akuzoi misionin teknik të BE-së EURALIUS se është vënë nën ndikimin e politikës.

Duke folur gjatë konferencës “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, Presidenti Meta tha:

“Po bën 3 vite nga miratimi me konsensus i reformës në drejtësi dhe mund t’ju them që po të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese.

Kur është bërë reforma kam qenë kryetar kuvendi, kam thënë: Prit! Vettingu po, patjetër, por do të kemi kujdes sepse mund të kërcënohet funksionimi i Gjykatës Kushtetuese.

Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presione, bëhet me standarde. Nëse reforma bëhet me emra atëhere nuk ka një reformë të qëndrueshme, por ka forma të reja për kapjen e institucioneve.”

Lidhur me rolin e EURALIUS-it gjatë reformës në drejtësi, Presidenti Meta tha se ata kanë marrë urdhëra politikë pasi po veprojnë me dy standarde: për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm ata pranuan të japin këshillë ligjore megjithëse ishte institucion antikushtetues, ndërsa për formimin e Gjykatës Kushtetuese ata nuk kanë pranuar t’i japin asistencë teknike presidentit:

“Vijmë tek rasti i Gjykatës Kushtetuese. Kam bërë përpjekjet më të mëdha që gjithçka të bëhet në përputhje me kushtetutën. Herën e dytë, si president duke ditur dështimin e herës së parë që u humb një vit kohë dhe askush nuk mbante përgjegjësi, kam kërkuar me shkrim angazhimin e delegacionit të BE-së dhe EURALIUS, që është një mision që paguahet me taksapaguesit evropian për të garantuar zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri sipas standardeve evropiane dhe në respekt me kushtuten dhe ligjet e Shqipërisë. 

Dhe EURALIUS i çon përgjigje Presidentit se nuk vijmë dot në takim se jemi mision teknik, që do të thotë se ke marrë porosi politike. Je mision dhe të fton Presidenti për Kushtetutën e një vendi. Po ky EURALIUS i dha një vërtetim një kryetari të komisionit të ligjeve për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë [Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm]. Kjo nuk është drejtësi europiane.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>