Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend për rishikim ligjin që rregullon pranimin dhe karrierën në Forcat e Armatosura.
Meta jep tre arsye kryesore për vendimin e tij.
Së pari, ligji i ri ul nivelin e arsimit të kërkuar për t`u përfshirë në Forcat e Armatosura, nga i mesëm në 9-vjeçar.
Meta e quan të gabuar këtë politikë për rritjen e rekrutimit pasi sipas tij përcjell mesazhin se, edhe pa përfunduar arsimin parauniversitar, të rinjtë mund të punësohen.
Sipas presidentit, rekrutimi duhet nxitur duke i rritur rrogat Forcave të Armatosura.
Së dyti, ligji i mëparshëm përcaktonte kriteret mbi arsimin dhe kualifikimin me qëllim përparimin në gradë. Në ligjin e ri, kriteret përcaktohen sipas politikës së arsimimit të Forcave të Armatosura. Kjo politikë, miratohet nga ministri i Mbrotjes.
Këtë fakt, presidenti Meta e kundërshton dhe thotë se karriera e ushtarakëve nuk duhet t’i kalojë në dorë ministrit të Mbrojtjes por duhet të pëcaktohet sipas kritereve të ligjit.
Arsyeja e tretë që presidenti jep për kthimin e ligjit lidhet me rastet kur një ushtarak mund të emërohet në një funksion më të ulët.
Kjo gjë ndodhte vetëm në rast riorganizimi strukturor dhe me kërkesë të vetë ushtarakut. Me ligjin e ri, hiqen këto dy kritere. Emërimi në një funksion më të ulët mund të bëhet një herë në 3 vjet, për jo më shumë se 1 vit.
Sipas Metës këto ndryshime “e vënë ushtarakun në një pozitë aspak të favorshme, cenojnë ecurinë në karrierën ushtarake në mënyrën më të rëndë të mundshme, duke i bërë ushtarakët të lëvizshëm në funksione që nuk përputhen me gradën që mbajnë (qoftë dhe përkohësisht), sipas vullnetit të eprorëve.”