Presidenti Ilir Meta ktheu ligjin për zgjatjen e me 13 vjet të marrëveshjes koncesionare të aeroportit “Nënë Tereza”. Në një konferencë për shtyp, Meta u shpreh se marrëveshja u krye “në dëm të interesave të kombit shqiptar”.
Ai tha se procedura e ndjekur nga qeveria bien ë kundërshtim me kodin zgjedhore: “Një muaj para zgjedhjeve ndalohet nënshkrimi i kontratave konçesionare”.
Procedura e ligjore e qeverisë u krye brenda 24 orëve:
“Më 26 janar 2021 qeveria ka nënshkruar marrëveshjen me koncesionarin. Ligji u miratua nga qeveria më 27 janar 2021. U depozitua brenda të njëjtës datë në Kuvend nga qeveria.
Dhe po në 27 janar, Kuvendi e ka futur në kalendar edhe pa u kërkuar me procedurë të përshpejtuar”, shpjegoi Meta.
Presidenti thekson se marrëveshja “zgjat pa asnjë garë afatin e koncesionit të aeroportit të Rinasit, që duhet të përfundonte për 6 vjet”.
Qeveria nuk ka bërë transparencë nëse e ka diskutuar apo jo draft-marrëveshjen me ministritë e linjës, shtoi Meta.
Kjo marrëveshje, sipas Presidentit u zgjat në kundërshtim me marrëveshjen koncesionare të vitit 2004. Meta u shpreh se e gjithë praktika e qeverisë tregon “trajtim preferencial dhe klientelist” të qeverisë ndaj kompanisë koncesionare.