Presidenti Ilir Meta tha të enjten se “kush bën lojëra me detin, do të mbajë përjegjësi”.
Në një intervistë për Ora News, Meta tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2009 u kërkua me insistim nga Partia Socialiste.
“Nga ana e presidentit ka pasur gjithmonë qëndrime shumë të qarta, parimore, konstruktive, bashkëpunuese, në respekt të Kushtetutës dhe në respekt të vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, një vendim i kërkuar nga vetë Partia Socialiste, dikur përpara 10 vitesh, i cili precizon përgjegjësitë për një marrëveshje të tillë apo të ngjashme si ajo të çdo institucioni në Republikën e Shqipërisë. Që nga presidenti, qeveria, Kuvendi dhe gjithë institucionet”, tha Meta.
Presidenti veprimet e kryeministrit i cilësoi si “akte individuale” dhe tha se nuk mund të jenë të vlefshme aktet individuale që dalin jashtë kompetencave të Kushtetutës.
“Lojëra dhe manovra të caktuara thjesht mund të përdoren nga pala tjetër për të dëmtuar një proces të ardhshëm ndërkombëtar, interesat sovrane të Republikës së Shqipërisë. Ndaj unë kam bërë thirrje për të gjithë aktorët që të jenë të përgjegjshëm dhe ti përmbahen detyrimeve kushtetuese që gjithësecili prej tyre ka në një rast të tillë”, tha presidenti.