Meta letër Komisionit të Venecias, mazhoranca synon të kapë Gjykatën Kushtetuese

Nga Exit News
Meta letër Komisionit të Venecias, mazhoranca synon të kapë Gjykatën Kushtetuese

Presidenti Meta bëri sot publike kërkesën drejtuar Komisionit të Venecias (KV) më 21 janar për shprehje opinioni rreth përplasjes së krijuar me Parlamentin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese (GJK).

kërkesën prej 46 faqesh drejtuar Presidentit të Komisionit Gianni Buquicchio, Meta ngarkon parlamentin me përgjegjësitë për keqzbatimin e reformës në drejtësi dhe thekson se po kërkohet kapja e shtetit.

Ai thotë se “nëse rekomandimet e Komisionit të Venecias, kyç në arritjen e konsensusit unanim për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016, do të ishin zbatuar me përpikmëri, atëherë vendi nuk do të gjendej sot përpara kësaj krize sui generis [të paprecedentë]”.

Presidenti thekson se parlamenti nuk ka reflektuar nga opinioni i shprehur në tetor rreth dekreteve të tij për anulimin dhe shtytjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai thotë se:

“[…] në mungesë prej më shumë se dy vjetësh të Gjykatës Kushtetuese, në mungesë të Gjykatës së Lartë, në kushtet e një krize sui generis të përfaqësimit ku Qeveria, Kuvendi, të gjitha Bashkitë dhe Këshillat Bashkiakë janë në duart e një force të vetme politike, ashtu si dhe pjesa dërrmuese e organeve të pavarura emëruar nga kjo forcë politike, duke sjellë çekuilibrim të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe balancës, vendi ndodhet përpara rrezikut të kapjes totale të shtetit.

Ky kontekst shoqëruar me zbatimin e njëanshëm, antikushtetues dhe në shkelje flagrante të rekomandimeve të Komisionit të Venecias mbi reformën në drejtësi, po zhyt gjithmonë e më shumë vendin në paligjshmëri, antikushtetutshmëri, dhe drejt autokracisë.”

Presidenti thotë se qëllimi i mazhorancës është kapja politike e GJK dhe se kërkesa e drejtuar në dhjetor nga socialistët në KV “kërkon të mbulojë vendimin e shkarkimit të tij nën siglën e Komisionit”.

Meta thotë se rrethanat e paraqitura nga socialistët rreth çështjes janë shtrembëruar dhe paraqitur në mënyrë të njëanshme.

Letra dërguar Komisionit të Venecias shoqërohet me pyetjet:

  • Përse kërkoi Venecia përcaktimin në Kushtetutë dhe ligj të rradhës së emërimeve?
  • Mosrespektimi i radhës a përbën shkelje të gërmës së Kushtetutës?
  • Cila dispozitë kushtetuese parashikon që një institucion të emërojë disa gjyqtarë kushtetues njëkohësisht?
  • Kur Qeveria, Kuvendi, të gjitha Bashkitë, Këshillat Bashkiakë dhe thuajse të gjitha institucionet e pavarura, janë në duart e një partie të vetme: a i shërben kapja e Gjykatës Kushtetuese interesit politik për t’iu shmangur kontrollit dhe llogaridhënies?

Prej muajit korrik socialistët kanë ngritur komision parlamentar për shkarkimin e tij. Ata e akuzojnë Presidentin për shkelje të Kushtetutës për shkak të anulimit të datës 30 qershor si datë e zgjedhjeve vendore. Në dhjetor komisioni shtoi si arsye për shkarkim edhe ngërçin e krijuar për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, ku parlamenti pretendon si kushtetues emërimin e Arta Vorpsit, por në vend të saj Presidenti ka emëruar Marsida Xhaferllarin. Kjo e fundit, ndryshe nga Vorpsi, u betua dhe u njoh nga GJK si anëtare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>