Kryetari i Kuvendit Ilir Meta do të udhëtojë të shtunën për në SHBA por, ndryshe nga sa raportojnë disa media, kjo vizitë nuk është zyrtare. Zoti Meta nuk ka asnjë ftesë formale nga autoritetet amerikane. Vizita e tij është organizuar privatisht dhe nuk përfshin asnjë aktivitet zyrtar.
Një grup shqiptarësh që jetojnë në SHBA janë duke lobuar për t’i siguruar Kryetarit të Kuvendit takime me anëtarë të Kongresit amerikan por ende nuk është konfirmuar ndonjë takim i tillë. Deri në këto momente, duket se Zoti Meta ka të garantuar vetëm takime me shqiptarët e Amerikës dhe ndoshta me ndonjë zyrtar të nivelit të ulët të Departamentit të Shtetit.
Burime pranë kabinetit të Zotit Meta thanë se ende nuk ka një axhendë të përcaktuar të tij në SHBA, por i sigurt është se ai do të shkojë në Uashington dhe jo në New York.