Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar ata që, sipas tij, synojnë të manipulojnë zgjedhjet e 25 prillit me para të fituara nga trafikimi i kanabisit. Ai thotë se janë identifikuar personat në pushtet që përdorin grupe kriminale për përfitime elektorale.
Presidenti e cilëson shtimin e kultivimit të kanabisit para zgjedhjeve si një lehtësi që pushtetarët u bëjnë grupeve kriminale për përfitime elektorale.
“Shtimi i kultivimit të kanabisit, me afrimin e zgjedhjeve, është kthyer tashmë në traditë. Është një “koncension” për grupet kriminale, që në këmbim të përfitimeve kolosale nga kanabisi, u kërkohet nga ortakët në pushtet “kontrolli elektoral” i Qarqeve.”, shkruan Meta në Facebook.
Reagimi i presidentit vjen pas botimit të një raporti nga policia shqiptare dhe italiane ditën e hënë.
Meta thekson se lufta kundër trafikut të drogës është kusht për integrimin europian dhe nënvizon se nuk do të lejojë që “paratë e kanabisit” të përdoren në zgjedhjet e 25 prillit për të blerë vota.
“Lufta kundër drogës është kusht për integrimin europian. Askush të mos mendojë, lëre më të guxojë, që me paratë e kanabisit, të deformojë vullnetin e shqiptarëve në 25 prill 2021 dhe të pengojë të ardhmen europiane të shqiptarëve. Grupet kriminale dhe ortakët e tyre në pushtet janë të identifikuar!”, deklaron Meta.
Gjatë një konference me policinë italiane, Drejtori i Policisë Ardi Veliu deklaroi se trafiku i lëndëve narkotike drejt Italisë është ulur me 37 përqind gjatë vitit 2020.