Presidenti Meta nuk ka dekretuar dhe ka kthyer në Kuvend, të enjten, ndryshimet e bëra nga shumica socialiste në ligjin “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të cilat lejojnë praktikisht tjetërsimin e pronave shtetërore në favor të organizatave jofitimprurëse.
Sipas argumentimit të presidentit, nisma ligjore, në praktikë, krijon hapësira për të tjetërsuar dhe cënuar pronën publike apo në raste të tjera, lejon që pasuritë private arbitrarisht të shpronësohen për interes publik.
Po ashtu, sipas presidentit, ligji bën një trajtim preferencial dhe jo të barabartë të subjekteve apo individëve që gëzojnë tituj pronësie apo përdorimi mbi pasuri të paluajtshme përgjatë bregdetit shqiptar, në raport me investitorët në këto zona.
Ky ligj, thekson Meta, në vend që të adresojë problematikën e pronave në Shqipëri, thellon edhe më shumë konfliktin social në vend.
Exit News ka sqaruar më parë, në këtë artikull, se ndryshimet ligjore do të lejonin dhënien në përdorim të pronave publike organizatave jofitimprurëse pa asnjë kufizim kohor për aq kohë sa ekziston organizata, pra praktikisht përjetësisht, nëse në të investohen mbi 5 milionë euro.
Projektligji parashikonte se prona e paluajtshme të shtetit, të cilat vendosen në dispozicion të OJF-ve “do të përdoren për aq kohë sa subjekti privat jofitimprurës ekziston, destinacioni i përdorimit dhe zhvillimit të pronës nuk ndryshon dhe kur në pronë është kryer investim mbi 5 milionë euro.”
Projektligji nuk përcaktonte kritere në lidhje me OJF-të që do të përfitojnë nga ky parashikim. Kriteri i vetëm i përcaktuar është investimi në vlerën 5 milionë euro në pronën publike.
Kjo lë hapësirë për shumë abuzime në lidhje me përzgjedhjen e organizatave që do të përdorin një pronë publike.