Presidenti Meta ka paralajmëruar se do të publikojë prova se si qytetarët monitorohen pasi i identifikohet përkatësia politike nga ata që ai i quajti “patronazhistë dhe fuksa”.
Gjatë një konference për shtyp, Meta u shpreh se priste që deri tani “dikush të ishte në burg nga përhapja e të ardhurave personale të qytetarëve” duke iu referuar rastit të fundit të denoncuar nga PD për vjedhjen e të dhënave nga e-Albania.
Meta tha se “së shpejti do të publikoj prova dhe fakte” se si ajo që ai e quajti “sistem gestapoje” monitorojnë qytetarët në rrjetet sociale.
Sipas Metës, patronazhistët – kështu janë quajtur personat që marrin të dhënat e qytetarëve për preferencat politike – monitorojnë qytetarët në rrjete sociale kur shprehen kundër qeverisë.
Në këto raste ai shtoi se qytetarit i krijohet një pengesë e paligjshme për një problem që mund të ketë dhe i propozohet zgjidhje në këmbim të ndyrshimit të preferencës politike.
Për këto presidenti tha se do të zbulonte dëshmitarë dhe prova në ditët në vijim.
Ai u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve të dalin masivisht në votime dhe të mos e shesin votën.
Presidenti i kërkoi ‘indiferentëve’ ta shikojnë kësaj here votën si mjet ndëshkimi ndaj atyre që i kanë zhgënjyer.
Ai gjithashtu shtoi se policia duhet të mos keqpërdoret dhe funksionarët publikë të tërhiqen nga intimidimet.