Presidenti Ilir Meta mund ta mbledhë Këshillin e Sigurisë nëse numri i të infektuarve dhe viktimave me Covid-19 rritet ndjeshëm.
Gjatë një konference për shtyp, Meta tha se është i gatshëm ta mbledhë këshillin nëse e shikon të nevojshëm, por se fillimisht do të takohet me ministren Manastirliu për të diskutuar mënyrat se si presidenca mund të ndihmojë:
“Nëse do jetë e nevojshme një mbledhje e tillë [e Këshillit të Sigurisë] patjetër që do jetë institucioni i gatshëm për të bërë një gjë të tillë.
Kam kërkuar një takim zyrtar me ministren e shëndetësisë dhe besoj sa më shpejt do e realizojmë në mënyrë që të gjykojmë së bashku se cila do jetë mbështetja më e madhe që mund të japë presidenti.”
Presidenti kërkoi nga qeveria dhe ministria e Shëndetësisë më shumë kujdes dhe mbrojtje për mjekët dhe personelin mjekësor, dhe më shumë transparencë për qytetarët:
“Duhet më shumë transparencë, profesionalizëm dhe masa për mbrojtjen e personelit shëndetësor i cili është në vijën e parë të përballjes me këtë pandemi.”