Presidenti Ilir Meta përshëndeti të enjten realizimin e Korridorit Jugor të Gazit.
Meta u shpreh në një postim në Facebook, se ky projekt është pjesë thelbësore e projektit TAP.
Presidenti tha se vendosja operacionale e Korridorit Jugor të Gazit, është me rëndësi të madhe për rajonin.
Sipas tij, ky projekt ndihmon në veçanti Shqipërinë, “jo vetëm për sektorin e energjisë dhe gazifikimin, por edhe për efektet shumë pozitive në ekonominë kombëtare dhe zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë”.
“Korridori Jugor i Gazit përmirëson sigurinë dhe diversitetin e furnizimit me energji të BE-së. Ai mbulon të gjithë projektet infrastrukturore të transportimit të gazit natyror nga Deti Kaspik drejt Evropës”, thuhet në faqen zyrtare të Trans Adriatic Pipeline.
TAP përcjell se Korridori Jugor i Gazit, me gjatësi prej 3,500 km që shtrihet në shtate shtete, “është një prej zinxhirëve me vlerat më të larta të gazit që është krijuar ndonjëherë”.
Në faqen zyrtare të TAP thuhet se ky zinxhir, që përfshin mbi dymbëdhjetë shoqëri energjetike të mëdha, “përbëhet nga shtatë projekte energjetike të veçanta, të cilat, të gjitha së bashku, përbëjnë një investim prej afro 40 miliardë dollarë amerikanë”.