Presidenti Ilir Meta takoi të hënën banorët e Sukthit.
Ai tha se banorët e informuan se janë izoluar për shkak të daljes së lumit Erzen dhe janë përmbytur shumë hektarë tokë.
Meta tha se është e papranueshme që familjet në këtë zonë janë pa ujë të pijshëm dhe pa rezerva ushqimore.
“Problematikë ka edhe në sigurimin e ushqimit për kafshët, duke vënë në rrezik dhjetëra krerë bagëti, burim i vetëm i të ardhurave të tyre.
Është emergjente menaxhimi më i mirë i situatës, duke patur prioritet absolut mbrojtjen e shëndetit, jetës dhe pronave të qytetarëve të rrezikuar, të cilëve duhet t’u garantohen ushqime, ujë të pijshëm dhe medikamente mjekësore,” shkroi Meta në Facebook.
Meta u shpreh se “fatura e përmbytjeve nuk duhet të rëndojë mbi qytetarët, të cilët kanë sot nevojë emergjente për shërbime dhe jo për propaganda”.