Meta, Rama, Ruçi kujtojnë Bashkim Finon

Nga Exit News
Meta, Rama, Ruçi kujtojnë Bashkim Finon

Ish-Kryeministri i Shqipërisë Bashkim Fino u nda sot nga jeta si pasojë e Covid19. Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi e kujtuan Finon, me fjalët:

Presidenti Ilir Meta:

“Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes. Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë! Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona”.

Kryeministri Edi Rama:

“E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë. Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur”.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci:

“Sot u nda nga jeta kolegu ynë, Bashkim Fino. Bashkimi humbi betejën për jetën duke na shkaktuar të gjithëve, familjes, kolegëve, miqve, një humbje të pazëvendësueshme. Bashkim Fino ishte një ndër njerëzit më të mirë të Shqipërisë, politikan, kryetar bashkie, deputet dhe ministër ndër më të shquarit. Shërbeu me devotshmëri për disa legjislatura si deputet i qarkut Fier dhe fitoi besimin dhe dashurinë e të gjithëve. Bashkimi i doli zot atdheut si Kryeministër në një kohë të rëndë dhe shërbeu si shtetar dhe patriot gjatë periudhës më të vështirë të tranzicionit. Ishte vëllai, kolegu dhe miku ynë, buzëqeshja e të cilit nuk do të na ndahet përjetë. Lamtumirë, Bashkim, vëllai ynë i dashur dhe i paharruar”!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>