Meta shpall vakancën për vendin e Muçit në Gjykatën Kushtetuese

Nga Stafi i Exit
Meta shpall vakancën për vendin e Muçit në Gjykatën Kushtetuese

Presidenti Ilir Meta dekretoi sot shpalljen e vakancës për vendin Besnik Muçit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një fotoje të shpërndarë për mediat nga zyra për shtyp e Presidentit, pas shpalljes së vendit vakant nga Gjykata Kushtetuese, Meta njoftoi nisjen e procedurave të aplikimeve për emërimin e një anëtari të ri në vend të Zotit Muçi, mandati i të cilit u përfundua përpara kohe për shkak të vetingut.

Dekreti i Presidentit për vakancën në Gjykatën Kushtetuese.

Besnik Muçi u shkarkua ditën e enjte nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili konstatoi probleme me deklarimin e pasurisë. Zoti Muçi ishte emëruar në muajin tetor nga Zoti Meta.

Shkarkimi i tij u konsiderua i paravendosur. Ai tha se nuk ishte surprizuar me lajmin pasi sipas tij Muçi ishte vënë nën presion për “t’u bërë pjesë të puçit për të penguar Zonjën Marsida Xhaferllari për të ushtruar detyrën e saj si anëtare e Kushtetueses”.

Shkarkimi i Besnik Muçit dhe hapja e aplikimit nga e para shtyn me disa muaj të tjerë krijimin e një Gjykate Kushtetuese funksionale. Pas hapjes së vakancës dhe marrjes së aplikimeve, KED do të duhet të fillojë të gjithë procedurën e përzgjedhjes nga e para, përfshirë edhe vetingun e nivelit të parë të kandidatëve të rinj.

Këto procedura mund të kërkojnë lehtësisht disa muaj të tjerë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>