Rreth katër javë më parë, në mënyrë të papritur, gjatë një interviste televizive, Kryetari i PD-së Lulzim Basha shpërtheu në një sulm të ashpër denoncues kundër klientelizmit dhe korrupsionit të qeverisë së Kryeministrit Rama. Numëroi, me zë të ngritur e serioz, një sërë kontratash klienteliste e emra biznesmenësh, sipas tij, të favorizuar në mënyrë korruptive.
Deri atë moment, Zoti Basha e kishte sulmuar qeverinë kryesisht për paaftësi, mosmbajtje premtimesh dhe, veçanërisht suksesshëm, për kriminalizimin e saj. Sulmi i tij i ashpër kundër klientelizmit qe disi befasues. PD ishte larguar nga pushteti, dy vjet më parë, për shkak të perceptimit se ishte zhytur në korrupsion e klientelizëm. Madje një ndër personat më të akuzuar të saj ishte vetë Zoti Basha, i cili shërbeu për 10 vjet pa ndëprerje si ministër e kryebashkiak i Tiranës. Prandaj shfaqja e tij si kalorës trim i luftës kundër korrupsionit mund të dukej si e panatyrshme. Por, reagimi qytetar ndaj qëndrimit të tij ishte shumë pozitiv. Pavarësisht imazhit të tij në të shkuarën, për shumë njerëz Zoti Basha u duk i besueshëm, kurajoz e për disa edhe shpresë ndaj keqqeverisjes aktuale.
Një tjetër befasi politike ndodhi dy javët e fundit. Kryetari i LSI-së Ilir Meta, i konsideruar gjerësisht në opinionin publik si ndër politikanët më të korruptuar teë vendit dhe drejtues i një force politike të perceptuar rëndom si biznes grabitje, lëshoi disa deklarata dhe thirrje publike kundër korrupsionit e klientelizmit. Fillimisht, LSI bëri publike deklarimet e saj në KQZ të financave të fushatës së zgjedhjeve lokale dhe, me këtë rast, Zoti Meta e drejtues të LSI-së bënë një sërë deklaratash për rëndësinë e transparencës së financimit të partive. Pak ditë më vonë, Zoti Meta lëshoi deklarata të tjera kundër blerjes së vendeve në parlament, kundër konfliktit të interesit e në përgjithësi kundër çdo lloj korrupsioni me detyrën. Ndër të tjera, ai u shpreh se nuk mund të gëzojë mbrojtje nga LSI asnjë antar i saj që mund të përfshihet në akte korruptive.
Edhe pse për shumë kënd deklaratat e Zotit Meta u dukën operacione imazhi, edhe pse për disa Zoti Meta është i pabesueshëm kur flet për ndershmërinë e partisë së tij, deklaratat e tij u mirëpritën nga jo pak njerëz dhe madje nga disa u konsideruan të drejta.
Në këto 25 vjet pluralizëm koha i ka “pastruar” dhe ricikluar politikisht të gjithë ata që janë përzënë nga pushteti për t’i çliruar nga e keqja. Madje disa prej tyre kanë ardhur sërish në pushtet si shpëtimtarë të rilindur. Por kjo ka kërkuar kohë. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që në më pak se dy vjet ata që u rrëzuan nga pushteti si e keqe e madhe të fillojnë të rishihen si e mirë apo të paktën si e keqe e vogël. Në dy vitet e para, qeveritë janë zakonisht në muaj mjalti me publikun, i cili zakonisht vazhdon t’i shohë ato ende nën dritën pozitive për të cilin i votoi.
Fakti që po ndodh tani është shenja e dështimit spektakolar e për shumë të papritur të qeverisjes Rama. Që në dy vjetët e para, qeveria Rama është përfshirë në një numër të pazakontë akuzash e skandalesh serioze; gjatë kësaj kohe është bërë e qartë se Kryeminstri Rama ka zgjedhur të bashkëpunojë e përfshijë në politikë figura të dyshimta apo të kriminalizuara me qëllim përdorimin e tyre për të ardhur në pushtet; gjatë këtyre dy vjetëve, qeveria ka braktisur interesin publikut dhe është vënë në shërbim të një grushti klientësh oligarkë. Ndërkohë vetë Zoti Rama ka dëshmuar vullnet të munguar për të qeverisur dhe është dhënë pas arratisjeve nëpër botë, diku si piktor, diku si intelektual publik, diku si kryeministër ceremonial.
Zhgënjimi fillestar i publikut me këtë situatë tashmë ja ka lënë vendin pakënaqësisë, e cila ka filluar t’ja lëshojë vendin revoltimit. Pikërisht këtë pakënaqësi e revoltim po mundohen të kalërojnë zotërinjtë Basha dhe Meta. Zoti Basha po ndjen se janë rritur shanset që ai të mund të vijë në pushtet më shpejt nga sa priste. Zoti Meta po ndjen mundësinë për të zgjeruar pushtetin e ndikimin e tij aktual dhe për të rritur kështu shanset që të jetë ai lideri i koalicionit të majtë më 2017.
Ndërkohë, shanset e publikut për mirëqeverisje janë përkeqësuar. Rrënimi kaq i shpejtë korruptiv i qeverisjes Rama po i shndërron në mënyrë të pamerituar zotërintjë Basha dhe Meta në alternativa reale ndaj Ramës. Shanset e tyre ndihmohen çdo ditë nga efekti që përballja me të keqen e sotme ka në relativizimin e të keqes së djeshme. Për këtë duhet edhe propaganda. Prandaj Meta po përpiqet të veshë në publik mantelin e kalorësit të moralit. Në kohën e Ramës, Meta është lideri i moralit.