Presidenti Meta deklaroi se takimi me Aleksander Soros, zëvendës president i Fondancionit “Shoqëri e Hapur” ishte bërë me kërkesë të këtij të fundit dhe nuk është diskutuar çështja e minishengenit ballkanik.
Në një postim në faqen zyrtare të tij në Facebook ai u shpreh se temat për të cilat u fol gjatë takimit ishin, kapja e drejtësisë së re nga Kryeministri, liria e medias dhe gjallërimi i shoqërisë civile në vend kundër shkeljes së të drejtave të njeriut dhe dhunimit të vlerave të demokracisë.
“Takimi është bërë me kërkesë zyrtare dhe ka qenë zyrtar. Tema e të ashtuquajturit “Mini-Shengen” nuk ka ekzistuar në takim.
Tre temat që unë jam përqëndruar kanë qenë kapja e drejtësisë nga Kryeministri, përkeqësimi i lirisë së medias dhe të lirisë së shprehjes, dhe gjallërimi i shoqërisë civile në vend kundër shkeljes së të drejtave të njeriut dhe dhunimit të vlerave të demokracisë.”
Për Minishengenin dhe çështjen e Kosovës ai u shpreh:
“Lidhur me të ashtuquajturin “Mini-Shengen” unë e kam bërë të qartë publikisht e në mënyrë të përsëritur se çdo iniciativë rajonale është e dobishme kur është gjithëpërfshirëse e jo përjashtuese, kur udhëhiqet nga partneriteti dhe jo paternalizmi, kur sjell kohezion dhe jo konfuzion, e aq më tepër përçarje.
Ndërsa për qëndrimin tim ndaj shtetit të Kosovës dhe Pavarësisë së saj të gjithë e dinë qëndrimin tim. Aq më tepër për Taksën e Kalimashit.”
Djali i George Soros, Alex, zhvilloi dy ditë më parë një takim me Presidentin Ilir Meta, në zyrën e këtij të fundit.