Presidenti Ilir Meta deklaroi të hënën se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të nisë sa më parë shqyrtimin e kandidaturave për 3 vendet e mbetura bosh, dy që duhet të emërohen nga presidenti, dhe një nga kuvendi.
Gjatë komunikimit të përjavshëm me gazetarët, Meta tha se i ka dërguar të gjithë institucioneve të interesit opinionin e Komisionit të Venecias për anëtarësimet në Gjykatën Kushtetuese dhe se pret që rekomandimet e KV-së të adresohen:
“Të gjitha institucioneve u përcolla, opinionin e Komisionit të Venecias mbi emërimin e anëtarëve të Kushtetueses për rëndësinë e bashkëpunimit institucional. Rekomandimet e tij duhet të adresohen. Jo vetëm deklaroj mbështetjen e KED, duhet të mbyllë pa vonesë shqyrtimin e kandidaturave për 3 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.”
Në 19 qershor, Komisioni i Venecias i dha të drejtë Presidentit Meta në të gjitha veprimet e tij dhe rrëzoi veprimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në lidhje me konfliktin për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (GJK).
Për më shumë se dy vite, Gjykata Kushtetuese është jofunksionale. Aktualisht gjykata ka vetëm 4 nga 9 antarë dhe nuk merr dot asnjë vendim.
Prej 4 anëtarëve, një është Vitore Tusha, e cila ka qenë anëtare e Kushtetuese dhe është konfirmuar në detyrë deri sa të zëvendësohet, një është emëruar nga presidenti Meta dhe dy nga kuvendi. Ndërsa për 3 anëtarët që duhet të zgjidhen nga Gjykata e Lartë nuk kanë nisur ende procedurat, pasi gjykata nuk ka kuorumin e duhur për vendimmarrje prej minimalisht 14 anëtarëve.
Gjykata ka aktualisht vetëm 3 anëtarë: Ilir Panda, Ervin Pupe dhe Sokol Sadushi.