
Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar prokurorisë të marrë në pyetje të gjithë “patronazhistët” e deklaruara në databazën e të dhënave personale të publikuar nga media.
“Ju drejtohem prokurorëve, duhet të merrni në pyetje të gjithë patronazhistët tuaj dhe që ju survejojnë, të zbardhet e gjithë e vërteta, pasi të dhënat personale dhe jeta private të drejtat dhe interesat e shqiptarëve janë në një rrezik madhor dhe vota e lirë dhe e ndershme dhe legjitimiteti i zgjedhjeve”, tha Meta në konferencën për shtyp, të hënën.
Meta u shpreh se këto të dhëna “nuk kanë dalë nga PS, por si rezultat iu kapjes së shtetit”.
Databaza e të dhënave persoanle të votuesve të Tiranës u publikua në media javën e kaluar. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK ka nisur hetimin ndaj AKSHI-t dhe ka kërkuar sekuestrimin e databazës nga portali Lapsi.al.