Presidenti Ilir Meta i kërkoi universiteteve dhe qeverisë të garantojnë mësimin online për studentët gjatë periudhës së pandemisë, në një takim online me përfaqësues të qeverisë, rektorë dhe profesorë të Universiteteve Publike në vend.
“Të shtohen investimet e domosdoshme në teknologji e pajisje dhe t’u krijohen të gjitha kushtet për të patur akses të plotë në internet, me tarifa të ulta, gjatë kësaj periudhe të vështirë”, u shpreh Meta në një postim në rrjet pas takimit.
Meta, gjithashtu mbështeti vendimin e Komitetit Teknik të koronavirusit për të zgjatur sezonin e provimeve dhe zhvillimin e disa provimeve në auditore.
Komiteti Teknik pranoi kërkesën e Ministrisë së Arsimit, më 10 shkurt, pas vendosjes së masave të reja kufizuese për të ndalur përhapjen e virusit.